Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka deklaruar për lajmi.net se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit do të jenë vendimtare për vendin dhe se Aleanca është e përgatitur për këtë sfidë.
Lekaj tha për Lajmi.net se AAK ka një strukturë të konsoliduar, program të qartë dhe lidership të provuar, duke konfirmuar se partia do të garojë e vetme, me Ramush Haradinajn në krye, si alternativë e fortë dhe e besueshme për qytetarët
“Zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jenë ndër më vendimtaret për vendin. Skena politike është dinamike dhe qytetarët janë më të vetëdijshëm se kurrë për rëndësinë e votës së tyre. Partitë politike po pozicionohen, por në fund, rezultatin do ta përcaktojë besimi i qytetarëve në seriozitetin dhe përgjegjësinë e secilës forcë politike. Sa i përket Aleancës, ne jemi të përgatitur plotësisht për këto zgjedhje. AAK ka strukturë të konsoliduar, program të qartë dhe lidership të provuar. Ne jemi duke finalizuar të gjitha detajet dhe po, Aleanca do të garojë e vetme, me Ramush Haradinajn në krye, duke ofruar një alternativë të fortë dhe të besueshme për qytetarët”, tha Lekaj.
Ai gjithashtu komentoi situatën e Vetëvendosjes, duke theksuar një rënie të ndjeshme të mbështetjes së saj.
“Sa i përket Vetëvendosjes, është e qartë se ka një rënie të ndjeshme të mbështetjes. Kjo shihet si në terren, ashtu edhe në reagimet publike. Qytetarët janë të zhgënjyer nga mungesa e rezultateve, nga menaxhimi jo serioz i shtetit, nga dështimet në ekonomi, energji dhe diplomaci. Polarizimi dhe konfliktet e vazhdueshme kanë bërë që shumë njerëz të kërkojnë stabilitet dhe lidership të matur, diçka që qeveria aktuale nuk ka arritur ta ofrojë”, tha Lekaj