RB Leipzig kaloi rivalët për top 4 në Bundesliga duke e mposhtur Hoffenheimin me rezultat të thellë 5-0 në shtëpi, duke vazhduar dominimin ndaj tyre.
Pas humbjes ndaj Stuttgartit javën e kaluar, Leipzigu reagoi mirë.
Edhe pse Hoffenheimi e nisi më mirë ndeshjen, vendasit shënuan të parët: pas një aksioni nga krahu i majtë, Brajan Gruda realizoi në portë të zbrazët pas një pritjeje të dobët të Oliver Baumann.
Vetëm katër minuta më vonë, Christoph Baumgartner dyfishoi epërsinë me kokë pas një krosimi nga David Raum.
Më pas ai shënoi edhe golin e tretë me një përfundim shumë të bukur.
Leipzig nuk u ndal dhe shënoi edhe golin e katërt para pjesës së parë, sërish me Grudën pas një aksioni të mirë nga Diomande.
Në pjesën e dytë, Hoffenheim nuk arriti të reagojë seriozisht, ndërsa Leipzig vazhdoi të krijojë raste.
Fitorja u vulos nga Benjamin Henrichs, duke e çuar rezultatin në 5-0 dhe duke kompletuar një mbrëmje perfekte për Leipzig.
Me këtë fitore, Leipzigu shkon në kuotën e 50 pikëve në vendin e tretë, aq sa ka edhe Stuttgarti në vendin e katërt – por me një ndeshje më pak – dhe aq sa Hoffenheimi në vendin e pestë. Skuadra e kosovarëve ra nga pozita e Ligës së Kampionëve, në të Ligës së Evropës, pas kësaj humbjeje.
Fisnik Asllani luajti vetëm pjesën e parë për Hoffenheimin, me yllin dardan që u vlerësua me notën 6.4 nga “Flashscore”.
Albian Hajdari, po ashtu i Hoffenheimit, u inkuadra me të nisur pjesa e dytë, pasi e nisi takimin nga banka rezervë, derisa Leon Avdullahu mungoi shkaku i lëndimit.
Kjo ishte ndeshja e fundit për dyshen kosovare me Hoffenheimin, me Hajdarin e Asllanin që nga e hëna do të nisin grumbullimin me kombëtaren e Kosovës, për ndeshjen e madhe të “play-offit” të Botërorit ndaj Sllovakisë, me 26 mars./GazetaExpress/