Lego u jep punëtorëve bonuse e disa ditë pushim pas fitimit të madh - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

30/11/2021 11:49

Lego u jep punëtorëve bonuse e disa ditë pushim pas fitimit të madh

Lajme

Gazeta Express

30/11/2021 11:49

Prodhuesi më i madh i lodrave në botë, Lego, i ka shpërblyer 20.000 punëtorët e vet me një bonus të veçantë vjetor dhe me tri ditë pushimi shtesë, pasi shënoi fitim masiv këtë vit.

Kompania me bazë në Danimarkë raportoi fitim prej 140 për qind në pjesën e parë të vitit, pas largimit të masave izoluese të pandemisë, shkruan Independent, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Zëdhënësi i kompanisë së famshme, Benjamin Hjorth, tha se ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm dhe pronarët deshën që ta njihnin kontributin e punëtorëve për këtë sukses. Ai shtoi se bonuset do t’u jepen punëtorëve në prill të vitit të ardhshëm.

Kompania raportoi fitim prej 6.3 miliardë kronorësh danezë ose rreth 715 milionë funtesh për pjesën e parë të vitit 2021, që përbën 140 për qind rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Rritja jonë vjetore përfitoi nga kufizimet më të pakta në lidhje me pandeminë krahasuar me vitin 2020, pasi fabrikat tona operuan të papenguara dhe shumica e shitoreve për shitje me pakicë u rihapën”, tha shefi ekzekutiv i “Lego Group”, Niels B. Christiansen, përmes një deklarate.

Kompania e udhëhequr nga një familje hapi më shumë se 60 dyqane të reja në pjesën e parë të vitit dhe mbi 50 për qind e shitoreve ishin në Kinë. E themeluar nga Kirk Kristiansen më 1932, “Lego” ka 737 shitore për shitje me pakicë në mbarë botën.