Legalitet, Legjitimitet apo Grushtshtet? - Gazeta Express
string(38) "legalitet-legjitimitet-apo-grushtshtet"

Gazeta Express

24/04/2020 11:15

Legalitet, Legjitimitet apo Grushtshtet?

Gazeta Express

24/04/2020 11:15

A ka njëmend përpjekje për Grushtshtet në politikën kosovare javëve të fundit? Si mund të vlerësohen zhvillimet e fundit politike në vend: Si cenimi i legalitetit, shtrembërim i legjitimitetit apo si qëndrim brenda legalitetit dhe legjitimitetit?

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Debati politik i javëve të fundit në Kosovë, në vijim të situatës së re të krijuar në vend pas 25 marsit, apo, pas Mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kryeministrit Albin Kurtit, pos temave të cilat janë kryekëput politike, dhe të cilat si të tilla janë pashmangshmërisht të anshme dhe subjektive, kanë ngritur edhe çështje që përkojnë drejtpërdrejt me legalitetin dhe legjitimitetin si dy kategori bosht të funksionimit të një shteti.

Trajtimi i temave të legalitetit dhe të legjitimitetit imponon një objektivitet, maturi dhe racionalitet, pos tjerash se këtu kemi të bëjmë me tema që janë të matshme, apo që i ikin atij kutit emocional dhe të anshëm, natyrisht, nëse ka vullnet themelor për një gjë të tillë.

Ka kohë apo vite të tëra që politika kosovare e ka humbur këtë cilësi të vlerësimit objektiv të proceseve kryesore politike në vend.

Sidoqoftë, legaliteti ka të bëjë me Kushtetutën dhe me ligjet. Interpretimi i tyre nuk mund të bëhet ndryshe sot, e ndryshe dje, apo, këtu nuk mund të ketë një lloj të ‘kreativitetit interpretues’, që në bazë të rrethanave ekzistuese politike, të cilat gjithmonë e kanë një kontekst të veçantë dhe një potencial emocional shpërthyes, të bëhet një shpjegim ‘adekuat’ që i rri mirë këtij ambienti aktual politik.

Legjitimiteti, në anën tjetër, teksa e ka edhe anën legale  (me përcaktimin e Sistemit zgjedhor, përbërjes së Kuvendit të Kosovës, përfaqësimit të komuniteteve në Kuvend, etj.), buron nga vota e qytetarëve në zgjedhjet e lira, e cila është statistikë, është numër, gjë që si i tillë nuk mund dot të shtrembërohet apo të keqinterpretohet, në interpretimet e nduarnduarta politike.

Në debatin politik pra të javëve të fundit, në adresim të çështjeve të legalitetit dhe të legjitimitetit, është thënë në mënyrë kategorike, që Qeveria e re e Kosovës nuk mund të krijohet pa fituesin e tyre  (dimensioni i legalitetit pra), dhe që kjo Qeveri e re eventuale do të jetë një shtrembërim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar  (dimensioni i legjitimitetit).

Deficiti në legalitet dhe legjitimitet pastaj, të çon në një përfundim politik që krijimi i Qeverisë së re në fakt është një grushtshtet.

Interpretimi i vetëm i autorizuar i aspektet të legalitetit të një procesi, apo, të përputhjes së tij me Kushtetutën e Kosovës, i takon Gjykatës Kushtetuese.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, konfirmon në mënyrë të qartë mundësinë që Qeveria e Kosovës të bëhet edhe pa fituesin relativ të zgjedhjeve  (partinë apo koalicionin që ka dalë e para në zgjedhje), poqëse subjektet e tjera kanë kapacitet të krijimit të një Qeverie të re që do të ketë shumicën parlamentare prej së paku 61 deputetëve.

Atëbotë, në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese hapi mundësinë që nëse PDK, si parti fituese  (që kishte marrë 37 mandate deputetësh në zgjedhjet e qershorit të vitit 2014), nuk do të arrinë ta bëjë Qeverinë, në mungesë të një potenciali për të bërë koalicion me entitetet e tjera, atëherë, LDK dhe partitë e tjera do ta kishin të drejtën për ta krijuar Qeverinë e Kosovës.

Nëse as në këtë tentimin tjetër, këto subjektet e tjera nuk arrinë dot ta sigurojnë përkrahjen e shumicës parlamentare, atëherë, nuk ka shtegdalje tjetër pos të organizohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ky është interpretimi i vetëm ekzistues i kësaj çështjeje, dhe ai nuk mund të ndryshojë dot pa marrë parasyshë sa të zëshëm dhe sa të zellshëm jemi në ofrimin e shpjegimeve tona politike.

Pra, mund të ketë Qeveri të Kosovës dhe pas fituesin relativ të tyre.

Aspekti i legjitimitetit poashtu është trajtuar përditë në këto diskutimet tona politike.

Interpretimi mbizotërues i ithtarëve të konkludimit që Qeveria e re do ta shpërfillë vullnetin e shprehur të votuesve, nëse në këtë Qeveri nuk do të jetë edhe fituesi (relativ) i tyre, bazohet në një interpretim që qytetarët kanë votuar në mënyra masive për ndryshimin në politikën kosovare, dhe ky vullnet i tyre do të tjetërsohet në mënyrën më të keqe të mundshme me Qeverinë e re.

E vetmja rrugë e drejtë për këtë analizë të zhvillimeve të fundit në politikën kosovare parndaj është që të mbahen zgjedhjet e reja të përkohshme në Kosovë, si të kalojë periudha e ballafaqimit me pandeminë e Covid-19.

U tha më parë që legjitimiteti del nga numrat dhe përqindjet e zgjedhjeve, të cilat në rastin e Kosovës, pasiqë kemi të bëjmë me një Sistem të pastër proporcional, përkthehen në mënyrë thuaja identike në atë përbërjen e Kuvendit të Kosovës, në ato njëqind ulëse që ndahen nga të gjitha subjektet/ koalicionet/ entitetet të cilat kanë kaluar pragun zgjedhor prej 5%.

Me këtë Sistem zgjedhor pra, dhe me dimensionin e legalitetit të përbërjes së Kuvendit të Kosovës, qytetari i Kosovës në fakt me vullnetin e tij, imponon një shpërndarje të fuqisë parlamentare dhe të kapacitetit politik për ta bërë Qeverinë e re të Kosovës.

Në teori, një e vetmja parti apo një koalicion parazgjedhor, mund të ketë këtë kapacitet politik për ta bërë Qeverinë e Kosovës, nëse ajo vetë ka marrë së paku 41 mandate në Kuvendin e Kosovës, ashtuqë së bashku me njëzet mandatet e garantuara të komuniteteve, e ka atë minimumin e kërkuar të përkrahjes në Kuvendin e Kosovës prej 61 deputetëve.

Diçka e tillë nuk ka ndodhë asnjëherë në skenën politike kosovare që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur  (në vitit 2008). Për më shumë, për herë të parë në këto zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, doli që i pari në këto votime, apo, Lëvizja ’Vetëvendosje’, mori më pak se 30 mandate  (29, më saktësisht), me 26.27% të votave të siguruara, të cilat kanë fuqinë e 11.26% të Listës së gjithë votuesve të regjistruar të Kosovës.

Në anën tjetër, sikur Lëvizja ’Vetëvendosje’ dhe LDK të kishin garuar së bashku, në një koalicion parazgjedhor, në zgjedhjet e 6 tetorit, duke marrë kështu 57 mandate  (realisht, këto dy subjekte me gjasë në këtë rast me po të njejtin rezultat, do të mbërrinin tek 59 mandate), edhe pse legalisht do të ishte në rregull që LDK, pas prishjes së koalicionit me subjektin e Kryeministrit Albin Kurtit, të provonte ta bënte një Qeveri të re, njëmend do të ishte e pamundur t’i ikej një konkludimi polik që do të bazohej në një keqpërdorim apo falsifikim të vullnetit të qytetarëve  (të cilët i dhanë mandat absolut, sepse ky Koalicion do të kishte më shumë se 51 mandate që i takojnë partive/ subjekteve politike shqiptare, në atë njëqindshin e mandateve të Kuvendit të Kosovës), me çfarëdo formule qeverisëse e cila do ta përjashtonte Lëvizjen ’Vetëvendosje’ apo LDK-në nga përbërja e saj.

Por Lëvizja ’Vetëvendosje’ dhe LDK kanë garuar veç e veç në këto zgjedhje, dhe për më shumë, sa i përket mandateve të kanë marrë në zgjedhjet e 6 tetorit, kanë pësuar një rënie të lehtë, në krahasim me zgjedhjet e qershorit të vitit 2017: ’Vetëvendosje’ prej 32 mandatesh në ato zgjedhjet e mëparme në 29 mandate tani, dhe LDK prej 29 mandatesh në ato votimet e mëparme, në 28 mandate tash.

Pra, nuk ka pasur farë ndryshimi dramatik në vullnetin e qytetarëve të Kosovës, kur të krahasohen rezultatet e dy palë zgjedhjeve të fundit, ndërsa sa i përket legjitimitetit të kontestuar të LDK-së për ta bërë Qeverinë e re të Kosovës, diçka e tillë nuk ka qëndrueshmëri politike nëse dihet që LDK dhe Lëvizja ’Vetëvendosje’ kanë garuar veç e veç në zgjedhje, me programe qeverisëse të veçanta, dhe me ofertat e posaçme për të siguruar përkrahjen sa më të madhe të qytetarëve.

Për këtë shkak, shikuar nga prizmi i legjitimitetit, te dy këto parti fituar mandat të qartë të votuesve që të provojnë ta krijojnë Qeverinë e re të Kosovës.