LDK-ja po ia numëron ditët Vetëvendosjes, thotë se i ka një javë kohë për mandatarin - Gazeta Express
string(82) "ldk-po-ia-numeron-ditet-vetevendosjes-thote-se-i-kane-nje-jave-kohe-per-mandatarin"

LDK-ja po ia numëron ditët Vetëvendosjes, thotë se i ka një javë kohë për mandatarin

Gazeta Express

08/04/2020 10:51

Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh afate se kur partia e parë e dalë nga zgjedhjet duhet ta propozojë mandatarin te presidenti i vendit. Megjithatë, LDK-ja, që është duke tentuar të krijojë qeveri së bashku me AAK-në, Nismën dhe pakicat, thotë se partisë së Albin Kurtit i ka mbetur vetëm edhe një javë kohë ta bëjë propozimin, raporton Gazeta Express.

Kreu i Qeverisë në detyrë e shefi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se do ta dërgojë emrin për mandatarin te presidenti i vendit, mirëpo pa saktësuar afate. U la të nënkuptohet se kjo do të ndodhë pasi që në vend të stabilizohet situata me koronavirusin, derisa nga LVV-ja është thirrur në zbrazëtinë kushtetuese që nuk specifikon afat kohor se kur duhet që të dorëzohet emri.

Lexo Edhe:

Ndryshe nga LVV-ja po deklarohet Lidhja Demokratike të Kosovës. Deputeti i kësaj partie, Arban Abrashi, thotë se Vetëvendosjes i ka mbetur vetëm edhe një javë kohë që të bëjë nominimin e mandatarit, duke u thirrur kështu në një afat dyjavor.

Ai thotë se nëse LVV-ja nuk e dorëzon emrin, atëherë kjo mundësi do t’i shkojë partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet.

“Tani jemi në afate edhe në skenar kushtetues, atë që e kam dëgju unë dhe ju dhe të gjithë qytetarët është se tani i kanë mbetur kryeministrit në detyrë ose LVV-së të ofrojë kandidatin tjetër brenda 1 jave dhe ata duhet të sjellin emrin, nëse nuk e sjellin është Kuvendi që vendos kush tjetër duhet të zgjidhet. Me thjeshtu për qytetarët Kosova ka demokraci përfaqësuese, ne zgjedhim deputetët edhe janë pak a shumë 90 deputetë që nuk dëshirojnë kryeministrin aktual që ta shohin si kryeministër, mbetet në dorë të tyre se kë do ta votojnë”, ka thënë Abrashi në Klan Kosova, duke thënë se nuk duhet të shkohet në zgjedhje.

“LDK-ja i ka idetë e veta që të udhëheqë me vendin, edhe ka kandidatë shumë të mirë, ne mendojmë që vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje”, ka shtuar ai.

Sipas Abrashit, Vetëvendosja ka pasur një qasje jo të sinqertë karshi partnerit me të cilin po e formonin Qeverinë.

“Ideja themelore e kësaj qeverisje s’ka qenë e mirë. Fokusi s’ka qenë te temat e mëdha por te LDK-ja. Është gabim edhe deklarata e Konjufcës që tha se LDK-ja po fshihet pas Grenellit. Ka qenë një politikë e padrejtë dhe kjo është arsyeja pse Kurti qëndroi vetëm për 50 ditë si kryeministër. Kostoja për këtë po paguhet nga LDK-ja dhe nga Kosova”, tha deputeti i LDK-së, që shtoi se partia e tij ka bërë eksperiment me një kryeministër i cili për pak kohë ka bërë që të prishen edhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

“LDK-ja nuk e lejon një eksperiment, që dikush të vijë dhe të prishë marrëdhëniet. Ne e shpëtojmë edhe veten edhe Kosovën me daljen nga ky koalicion. Kryeministri në detyrë Kurti e ka shkarkuar pa asnjë faj Veliun. Kjo tregon që ka dashur të krijojë krizë në mënyrë që të ketë zgjedhje të reja në kohë të pandemisë”, ka deklaruar ai. /GazetaExpress/