LDK - nga lëvizje popullore në parti normale - Gazeta Express
string(42) "ldk-nga-levizje-popullore-ne-parti-normale"

LDK – nga lëvizje popullore në parti normale

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

25/03/2021 10:25

Do të jetë sfiduese për lidershipin e ri të LDK-së, që të shkëputet nga e kaluara e një lëvizje të jashtëzakonshme, drejt një partie normale. Është tejet e rëndësishme  që të kuptohet se duhet të ndahet përfundimisht nga miti dhe të përgaditet për garën e ideve, e që ndryshimi gjthnjë ka edhe dhimbje  dhe sakrificë brenda vetes

Nga Fisnik Dragusha

E fillova në krye të herës me konceptin qe dua të shtjelloj, pra për partinë më të vjetër të skenës politike në Kosovën e kohës së re. Formimi i kësaj lëvizje nga një grup shkrimtarësh – intelektualësh në kohën e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike, socio-politike dhe ekonomike, do të ishte negacion ndaj ideologjisë së kohës, vecanërisht ndaj organizatave që quheshin marksiste leniniste, e që edhe ato si qëllim primar kishin angazhimin për liri. Lëvizje popullore me intensifikim të programit kombëtar, duke absorbuar brenda vetes dallime të natyrave të ndryshme (klasore, në status dhe religjioze) dhe demokratik në kohën e represionit të egër të ushtruar nga regjimi i kohës, kjo do të shërbente si adresë dhe organizatore e jetës politke sociale kulturore, që promovon vlera, tolerancë dhe mbi të gjitha humanizëm. Një detaj me rëndësi që besoj do të duhej të përmendet, veçmas për studiues të shkencave politke dhe sociologjike është fakti që me këtë lëvizje kishte filluar ngjizja e nje burokracie, paralele apo shqiptare karshi të asaj të sistemit të kohës. Artikulimi politik, mbrojtje e të drejtave të njeriut si kartë univerzale do të ishin shënjuesit e saj. Konceptet me të cilat shërbehej ishin njëkohesisht edhe vyrtyte të demokracisë. Kjo mbase i ngjasonte shoqërisë fabiane britanike, ku brenda saj defilonin filozofë e shkrimtarë si Bertrand Russell dhe George Bernard Shaw, ku synonin që t’i çonin përpara parimet e demokracisë përmes rrugës graduale evolutive dhe jo atyre revolucionare. 

Ishin mjaft inkurajuese këto atribute, duke e parë që ky truall mund të kishte edhe vazhdimësi në veprim e koncepte politke, që ishte e mishëruar me guxim, maturi dhe drejtësi. 

Postulatet kryesore – liri, pavarësi, democraci, e kishin shndërruar politikën në mision. Shto këtu faktin që brenda saj kishte një heterogjenitet, mirëpo njëkohësisht kishte edhe një dakordim për orientimin dhe konceptin. 

Ndryshimet që do të pasonin do ta gjejnë të papergatitur dhe të ekspozuar ndaj ndryshimit  si një nevojë imediate. Ndryshimi nga një levizje në parti qeverisese, nga autoriteti në pushtet, nese shprehemi me terma Weberian, e sforconin drejt pragmatizmit dhe e bënin skenën politike të dukej si një luftë në mes të klasave. Mungesa e ideve kreative, prodhoi as më pak e as më shumë se konformizëm, poltronizëm dhe improvizim. Në kontekst elektoral, performancën e saj do ta percjellte inercioni. Si të gjitha idetë fisnike, rëndom siç ndodhë, edhe këtë do ta përdornin një kastë opurtuniste, që në emër të fisnikërise së idesë do të koncentonin pushtet personal dhe instrumentalizim të saj drejt pushtetit pa legjitimitet. Do të zhytej drejt një iracionaliteti, duke i bllokuar horizontet e veprimit politik. 

Rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit do të jenë kulmi i një keqmenaxhimi nga një “superstrukturë“ përbrenda të barabartëve. Ky cikël i krizës do të jetë me dilemë ekzistenciale, ndonëse ka themele të forta si subjekt. 

Do të jetë sfiduese për lidershipin e ri të LDK-së, që të shkëputet nga e kaluara e një lëvizje të jashtëzakonshme, drejt një partie normale. Është tejet e rëndësishme  që të kuptohet se duhet të ndahet përfundimisht nga miti dhe të përgaditet për garën e ideve, e që ndryshimi gjthnjë ka edhe dhimbje  dhe sakrificë brenda vetes. Politikat e saj  të deklaruara si të djathta duhet të mbështeten në premisa të qarta ideologjike, duke marrë për bazë afilimin e saj me populloren evropiane. Ndryshimi substancial dhe i dukshëm është i pashmangshëm për ngritjen e LDK-së. Nëse nuk reflekton ndryshim, ajo do të mbetet një reliktë nga e kaluara.