LDK: Kushtetuesja vërtetoi që LVV tentoi ta bllokojë funksionimin e institucioneve, seanca të vazhdojë menjëherë - Gazeta Express
string(112) "ldk-kushtetuesja-vertetoi-qe-lvv-tentoi-ta-bllokoje-funksionimin-e-institucioneve-seanca-te-vazhdoje-menjehere-1"

Lajme

Gazeta Express

18/08/2025 16:18

LDK: Kushtetuesja vërtetoi që LVV tentoi ta bllokojë funksionimin e institucioneve, seanca të vazhdojë menjëherë

Lajme

Gazeta Express

18/08/2025 16:18

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mirëpritur vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila, siç thotë partia më e vjetër në vend, “konstatoi antikushtetutshmërinë e përpjekjeve për të imponuar procedura të votimit të fshehtë gjatë seancës konstituive të Kuvendit”.

LDK-ja tha se aktgjykimi vërteton se veprimet e kryesuesit të seancës konstituive përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ishin “tentim për të bllokuar funksionimin e institucioneve”.

“Me këtë aktgjykim, Gjykata riafirmoi se kryesuesi i seancës konstituive nuk mund të veprojë jashtë përcaktimeve të qarta kushtetuese dhe nuk mund të shpikë procedura që minojnë rendin demokratik dhe ligjshmërinë. Gjykata sqaroi sërish se zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit duhet të zhvillohet rreptësishtë sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Punës – përmes votimit të hapur, deri në tre herë përpjekje për një kandidat, dhe brenda afatit kushtetues 30 ditor”.

“Ky vendim paraqet një fitore të madhe për demokracinë, ligjshmërinë dhe integritetin e institucioneve tona. Ai vërteton qëndrimin e LDK-së, e cila që nga fillimi ka insistuar se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje! përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës dhe tentim për të bllokuar funksionimin e institucioneve”, thuhet në reagim.

LDK-ja thotë se ka mbrojtur gjithmonë “parimin se rendi kushtetues është i paprekshëm”. “Asnjë vullnet politik nuk mund të qëndrojë mbi supremacinë e Kushtetutës”.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës është jo vetëm fitore e LDK-së, por fitore e Republikës së Kosovës dhe e të gjithë qytetarëve që duan institucione funksionale, të ngritura mbi ligjshmëri, transparencë dhe norma demokratike”, thuhet në reagim.

LDK-ja u bëri thirrje të gjitha forcave politike që ta respektojnë aktgjykimin.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha forcave politike që ta respektojnë në tërësi këtë aktgjykim. Kuvendi duhet të vazhdojë menjëherë, në përputhje me Kushtetutën, me zgjedhjen e udhëheqjes së tij përmes votimit të hapur. Çdo pengesë e mëtejshme do të ishte jo vetëm antikushtetuese, por edhe akt i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe vullnetit të tyre demokratik”.

LDK-ja thotë se “do të mbetet e vendosur në rolin e saj si mbrojtëse e ligjshmërisë, demokracisë dhe vlerave euro-atlantike”.

“Republika e Kosovës meriton institucione të forta, të lindura nga Kushtetuta dhe që i shërbejnë vetëm qytetarëve”.