Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shpreh pritjen për një vendim të drejtë nga Gjykata Kushtetuese, i cili do t’i japë fund bllokadës institucionale që po zvarrit formimin e Kuvendit të ri.
Sipas LDK-së, lënda e dorëzuar nga ky subjekt në Kushtetuese bazohet në faktin se partia e dalë e para në zgjedhje ka refuzuar të përmbushë obligimin kushtetues për të propozuar Kryetarin e Kuvendit në seancën konstituive. LDK thekson se në vend të kësaj, janë bërë 48 tentativa të njëpasnjëshme për votime jashtë rendit të ditës dhe në kundërshtim me procedurat kushtetuese.
“Kjo sjellje ka prodhuar bllokadë të qëllimshme dhe ka dëshmuar se subjekti në fjalë nuk ka pasur as vullnetin dhe as kapacitetin për të ushtruar të drejtën dhe përgjegjësinë që i takon të parit,” thuhet në deklaratë.
LDK-ja thekson se, bazuar në praktikat e mëparshme të Kushtetueses, nëse partia e parë dështon të sigurojë shumicën, atëherë e drejta për të propozuar kandidatin duhet t’i kalojë shumicës parlamentare.
“Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç në garantimin e funksionimit të institucioneve dhe në mbrojtjen e rendit demokratik në përputhje me Kushtetutën e Kosovës,” thekson komunikata.
LDK kërkon një vendim që respekton frymën e Kushtetutës dhe që i hap rrugë shumicës parlamentare për të propozuar Kryetarin e Kuvendit, duke i kthyer vendit stabilitetin institucional.
Partia rithekson përkushtimin e saj për ruajtjen e rendit kushtetues dhe përfaqësimin e vullnetit qytetar.
Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, hapi vendndodhjen e saj të sapo ndërtuar në...