LDK: I arrestuari për 2 milionë euro i ka fituar pozitat përmes lidhjeve me PDK'në - Gazeta Express

Gazeta Express

21/10/2020 20:23

LDK: I arrestuari për 2 milionë euro i ka fituar pozitat përmes lidhjeve me PDK’në

Gazeta Express

21/10/2020 20:23

Më shumë se dy milionë euro u ‘avulluan’ nga Thesar i Shtetit të Kosovës. Personi i vetëm i arrestuar lidhur me këtë rast është Labinot Gruda. Gjatë ditës u raportua se Gruda ka qenë anëtar i PDK’së. Por, PDK’ja përmes një komunikate për media tha se i arrestuari nuk ka qenë asnjëherë anëtar i tyre. Për më tepër, PDK pretendon se familja Gruda kanë qenë tradicionalisht mbështetës të LDK’së. E një gjë të tillë po e mohon dega e LDK’së në Drenas. Sipas këtyre të fundit, Gruda pozitat e punës së tij në Komunë, e më pas në Ministrinë e Financave, i ka fituar përmes lidhjeve të veta me PDK’në.

Kujtojmë se derisa këto parti politike fajësojnë njëra-tjetrën për orientimin politik të të arrestuarit, shtetit të Kosovës i janë vjedhur më shumë se dy milionë euro nga thesari i shtetit.

Kryetari i Degës së LDK’së në Drenas, Bedri Nika, i vendosur ka thënë se Gruda asnjëherë nuk ka qenë pjesë e LDK’së. Madje sipas tij, pozitën e Drejtorit të Financave në Komunë dhe më vonë pozitën në Ministrinë e Financave, Gruda e ka fituar pikërisht përmes lidhjeve të tij me PDK’në.

“Labinoti nuk ka qenë asnjëherë votues i LDK’së. Labinoti ka qenë drejtor i Financave në Komunën e Drenasit, i emëruar nga PDK’ja. Më vonë ka japë dorëheqje nga kjo pozitë për të shkuar në Ministrinë e Financave, pozitë kjo të cilën e ka fituar në emër të PDK’së”, ka thënë kreu i LDK’së në Drenas për Gazetën Express.

Ndërsa PDK’ja në komunikatë thotë se i arrestuari asnjëherë nuk ka qenë pjesë e tyre. Gjithashtu përmendet se familja e tij tradicionalisht kanë qenë mbështetës të LDK’së.

“Po ashtu, PDK sqaron se zyrtari i arrestuar në Ministrinë e Financave nuk është dhe kurrë nuk ka qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Përkundrazi, qytetarët e Drenasit e dinë fare mirë që i apostrofuari vjen nga një familje që tradicionalisht kanë qenë mbështetës të LDK-së në këtë komunë. Për më tepër i ftojmë mediat që këtë ta hulumtojnë vetë jashtë PDK-së”, thuhet në komunikatën e PDK’së.

E kreu i LDK’së në Drenas thotë se babai i të arrestuarit ka qenë anëtar i kryesisë së LDK’së në Drenas gjatë mandatin e kaluar. Por, vet i arrestuari ka qenë gjithmonë pjesë e PDK’së.

“Babai i tij ka qenë anëtar i kryesisë së LDK’së në mandatin e kaluar. Ndërsa Labinoti ka qenë gjithmonë pjesë e PDK’së”, ka thënë Nika për Express.