LDK-ja, e cila refuzoi të bashkëqeverisë me LVV-në, dëshiron Qeveri të Unitetit me përfshirjen e të gjitha partive parlamentare dhe sot e prezantoi një plan më konkret për këtë. PDK-ja, ashtu si AAK-ja, duan gjithashtu një qeveri pa LVV-në dhe shohin drejt mundësisë për një koalicion ndërmjet partive të ish-opozitës. Kryetari i LDK-së, Lumir Adbixhiku tha se “nuk ka vullnet, nuk ka numra, nuk ka situatë politike” për këtë, por kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi thotë se “numrat janë” dhe se ai do të angazhohej personalisht që t’i arrinin votat e nevojshme. Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, po negocion me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti për një marrëveshje politike, ende pa rezultat, por me kërkesë konkrete që thotë se do të vlente edhe për partitë tjera: një “paketë ligjore”, në të cilën përfshihet edhe ulja e pragut zgjedhor nga 5 në 2%.
Gazeta Express
Lidhja Demokratike të Kosovës ka propozuar një qeveri të unitetit, me përbërjen e të gjitha partive parlamentare, si një mënyrë për të dalë nga ngërçi politik. Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku prezantoi sot agjendën 15-pikëshe në bazë të së cilës tha se do të punonte përkohësisht ky ekzekutiv.
Lëvizja Vetëvendosje është kundër kësaj ideje. Ajo e do LDK-në në bashkëqeverisje, por partia më e vjetër në vend e ka refuzuar këtë. Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se preferon një koalicion qeverisës të partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Kjo është preferenca edhe e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërsa Nisma ka një kusht për të bashkëpunuar si me LVV-në, ashtu edhe me partitë tjera.
Abdixhiku tha se partia e tij po ballafaqohet “me dy lloj akuzash” për mosbashkëpunim, por shtoi se me LVV-në nuk duan koalicion, ndërsa me partitë e ish-opozitës nuk i kanë numrat për të bashkëqeverisur.
“Në njërën anë Lëvizja Vetëvendosje na thotë ‘s’po vini tek ne pa PDK-në’, në anën tjetër grupi ish-opozitar na thotë ‘s’po vini tek ne pa Lëvizjen Vetëvendosje’. E kuptoni që kjo s’është tema, s’është qëllimi, s’është fare brenga jonë. Ne e kemi një krizë politike sepse kemi pozicionet partiake të tanishme. Një pozicion i parë partiak është që Lëvizja Vetëvendosje dëshiron të bëjë qeverisje vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Për shkak të katër viteve të fundit, për shkak të premtimeve elektorale, për shkak të dallimeve substanciale që i kemi në vlera, ky bashkëpunim ka qenë dhe është i pamundur”, tha ai.
Në anën tjetër, Abdixhiku tha se “nuk ka vullnet, nuk ka numra, nuk ka situatë politike që të gjitha partitë tjera disi të bëhen bashkë dhe ta krijojnë një qeveri minimale me 61 vota – që nuk i kemi, nuk janë – për të qëndruar për disa muaj”.
“S’e kemi mundësinë numerike ta bëjmë një gjë të tillë. Ta kuptoni këtë gjë. Askush që sot pretendon se partitë e ish-opozitës kanë vota, nuk po e thotë të vërtetën. Nuk e di pse po e bëjnë një gjë të tillë. Në takime private nuk e thonë të njëjtën gjë që po e thonë publikisht”, tha ai.
30 dështimet për konstituimin e Kuvendit, Abdixhiku tha se janë dëshmi se duhet “konsensus politik”.
“Nuk mund të flasim për dalje nga kriza me insistime e imponime të vjetra. Nuk do të dalim kështu. Nëse s’na kanë mjaftuar 30 herë për ta kuptuar një gjë të tillë, sa herë do të na duhen. A jemi mbledhur pak 30 herë për të kuptuar që s’kemi shumicë në asnjërën palë. Dhe më lejoni ta them, asgjë s’po ndodh në prapavi për të ndryshuar këtë gjendje”.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, nuk mendon kështu. Ai tha sot se numrat do të bëheshin për një qeveri të partive ish-opozitare.
“Unë gjithmonë jam i hapur për ta diskutuar qeverinë që do ta krijonim si PDK me LDK-në, AAK-në dhe Nismën dhe një gjë të tillë jo vetëm që e kemi vullnetin por e kemi edhe përkushtimin për ta jetësuar nëse edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka vullnetin e tillë”, tha ai në një prononcim për RTV21.
“Numrat i kemi”, insiston Krasniqi, sepse, siç tha si, “matematika është kokëfortë”.
“Nëse LDK i ka 19 deputetë që e votojnë qeverinë e opozitës së kaluar, atëherë numrat i kemi sepse bëhemi 51. Dhe unë e marr përsipër me i pasë edhe 10 votat tjera nga partitë minoritare, por jo nga Lista Serbe. Kështu që matematika është shumë e thjeshtë, mumrat janë. Nëse ka vullnet… Nëse s’ka vullnet, numra s’ka kurrë”, tha ai.
Agjendën 15-pikëshe të LDK-së për Qeverinë e Unitetit, Krasniqi tha se nuk e ka parë, por shtoi se i vjen keq që ai s’mund të trajtohet seriozisht në momentin që është refuzuar nga LVV-ja.
“Mua më vjen keq që një gjë e tillë automatikisht bëhet e pamundshme sepse ideja e qeverive të tilla nënkupton që të gjitha palët të jenë në tavolinë dha ta diskutojnë”, tha ai.
AAK-ja e thekson vazhdimisht se do të ishte e gatshme për një qeveri me partitë tjera ish-opozitare.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, po negocion me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti për një marrëveshje politike, por ende pa rezultat.
Limaj po kërkon që të jetë kryetar i Kuvendit dhe një “paketë ligjore”, në të cilën përfshihet edhe ulja e pragut zgjedhor nga 5 në 2%.
“Të njëjtën ia kam thënë edhe kryetarit të Partisë Demokratike. Ne të ndihmojmë ta ndërtosh qeverinë. Primare është paketa ligjore”, tha ai mbrëmë në Klan Kosova, duke folur për mundësinë e përfshirjes së kësaj partie në një qeveri pa LVV-në.
Ai u shpreh se e ka marrë malli “me qenë në opozitë në Parlament”.
“Ne në këtë fazë nuk jemi të interesuar të jemi në qeveri”, tha Limaj.
Kuvendi dështoi të konstituohet për herë të 30-të të martën.
Pasi kandidatja e LVV-së, Albulena Haxhiu dështoi disa herë me radhë që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare, LVV-ja po e hedh në votim çdo dy ditë propozimin për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili gjithashtu nuk po merr shumicën e nevojshme të votave.
Partitë tjera shqiptare argumentojnë se është shkelje ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit, ndërsa Gjykata Kushtetuese po e shqyrton një pyetje që ka shkuar atje në lidhje me këtë çështje.