Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, e shfrytëzoi pjesëmarrjen në forumin “Leximet e Primakovit” për të përsëritur akuzat e ashpra ndaj demokracive perëndimore, duke ia atribuar sërish Uashingtonit dhe Brukselit përgjegjësinë për tensionet globale.
Duke folur në forumin “Leximet e Primakovit”, ai akuzoi Perëndimin për “mosrespektim të së drejtës ndërkombëtare”.
Ministri i Punëve të Jashtme i Federatës Ruse deklaroi se Perëndimi nuk dëshiron të respektojë normat e së drejtës ndërkombëtare, duke akuzuar qendrat perëndimore të pushtetit se po detyrojnë pjesën tjetër të botës t’u bindet atyre.
“Perëndimi preferon të forcojë pozitat e tij gjithnjë e më të dobësuara duke i detyruar vendet e shumicës botërore të luajnë sipas rregullave të tij, përmes sanksioneve, ndalimeve, kërcënimeve dhe masave të tjera”, deklaroi Lavrov.
Lavrov, i cili përfaqëson një regjim që është nën hetim për krimet më të rënda të luftës dhe për shkeljen e Kartës së OKB-së përmes pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, foli për “barazinë sovrane të shteteve dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme”.
Ndërsa raketat ruse çdo ditë shkatërrojnë qytete ukrainase dhe shkelin sovranitetin e një shteti fqinj, Lavrov pretendon se Perëndimi “mbyll sytë ndaj situatës në Ukrainë”.
Në vazhdim të fjalimit të tij, Lavrov preku edhe tema ekonomike, duke promovuar teori të paverifikuara konspirative për planet amerikane lidhur me gazsjellësin “Nord Stream”.
Sipas tij, SHBA-ja gjoja planifikon të blejë dhe të rindërtojë gazsjellësit e shkatërruar për të rishitur gazin rus me fitim.
Lavrov akuzoi gjithashtu SHBA-në për rritjen e presionit ekonomik ndaj rajoneve nga Afrika e Veriut deri në Serbi.
Kjo tregon qartë frustrimin e Moskës për faktin se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, po e njohin gjithnjë e më shumë natyrën e dëmshme të ndikimit malinj rus dhe po synojnë integrimin në një hapësirë perëndimore të qëndrueshme dhe të begatë ekonomike e politike.