Laura Fazliu po shkon me hapa të sigurt drejt medaljes në Grand Slamin e Tbilisit.
Xhudistja kosovare është kualifikuar në gjysmëfinale të garës që po mbahet në Gjeorgji.
Laura po garon në kategorinë deri në 63 kilogramë, ndërsa deri tash i ka rrahur kundërshtaret një pas një.
Fazliu e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa në atë të dytë e mundi kinezen Jing Tang, shkruan “Gazeta Express”.
Tutje, në rrethin e tretë ishte më e mirë se francezja Gaetane Deberdt, kurse në çerekfinale e mundi britaniken Gemma Howell, kampione aktuale evropiane.
Në gjysmëfinale, Laura do të ketë punë me australianen Katharina Haecker.
Një fitore eventuale do t’ia siguronte garueses kosovare të paktën medaljen e argjendtë.
Kurse, nëse humb, ajo do ta kërkonte të bronztën përmes repesazhit.
Paraprakisht, dje medalje të argjendta fituan dy kampionet olimpike, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi. /Gazeta Express/