Profesori Blerim Latifi tha se është “krejt i qartë” shkaku i vdekjes së dy punëtorëve të ndërtimit sot në Gjakovë.
Ai shkroi në Facebook se “kushtet e punës në këtë industri janë si ato të kapitalizmit të egër të shekullit XIX”.
“Edhe dy punëtorë ndërtimi kanë humbur jetën sot. Industria e ndërtimit në Kosovë është ndër më vdekjeprurëset. Shkaku është krejt i qartë: kushtet e punës në këtë industri janë si ato të kapitalizmit të egër të shekullit XIX. Shto kësaj edhe faktin se pagat e këtyre punëtorëve janë kryesisht të mjerueshme”, shkroi ai.
Latifi tha se “vdekjet që ndodhin vazhdimisht përfundojnë si lajme ditore, të paketuara me sentimentalizma në rrjetet sociale”.
“Qeveria, që i thotë vetes e majtë, nuk bën asgjë më shumë përtej një proteste ditore që harrohet shpejt. Edhe partitë tjera po ashtu. Sindikatat janë praktikisht të vdekura. Ndërkohë, të ashtuquajturat “grupe me ide të majta”, në vend që të protestojnë për këta njerëz të shkretë që përditë plandosen të vdekur nga skelet e ndërtesave, merren me shkrime parullash për Palestinën, nëpër muret dhe rrugët e Kosovës. Budallenj dhe hipokritë!”.