Një batutë e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për një deklaratë të presidentit amerikan Donald Trump se ka pajtuar “Shqipërinë me Azerbejxhanin”, është bërë virale nëpër rrjete sociale. Për të ka reaguar profesori i filozofisë dhe analisti Blerim Latifi, duke thënë se bautat janë armë e fortë e komunikimit politik të Edi Ramës, megjithatë thotë se shakaja e Ramës me Trumpin është e tepruar.
Latifi thotë se tashmë kur Rama është fuqizuar në masë të madhe në Shqipëri, mbase është mirë t’ia kujtojë vetes frazën e famshme “momento mori” apo “kujto se je i vdekshëm”.
Postimi i plotë i Latifit;
Shkathësia për të treguar batuta goditëse është një nga armët më të fuqishme të komunikimit politik të Edi Ramës. Aftësia e tij për të futur një batutë ironike ose therëse e bën të dallohet menjëherë edhe në forumet ndërkombëtare, ku Shqipëria nuk ka ndonjë peshë të madhe diplomatike.
Por, siç na mësonin grekët e vjetër, gjithçka duhet bërë me masë, sepse kur masa kalohet, edhe batuta kthehet në kundërefekt. Vetëlëndimi diplomatik i Ramës me talljen ndaj Trumpit është shembull i qartë i këtij teprimi.
Tani që pushteti i tij në Shqipëri është fuqizuar deri në atë shkallë sa që duket i pathyeshëm, ndoshta ka ardhur koha që dikush t’ia pëshpëris në vesh atë frazën e famshme romake, e cila u thuhej cezarëve në kulmin e dehjes së tyre nga madhështia e pushtetit: memento mori, kujto se je i vdekshëm