Latifi: Aksioni i PSD-së reagim krejtësisht i gabuar, zgjidhja adekuate është dryni - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

11/06/2021 11:03

Latifi: Aksioni i PSD-së reagim krejtësisht i gabuar, zgjidhja adekuate është dryni

Lajme

Gazeta Express

11/06/2021 11:03

Profesori universitar, Blerim Latifi e ka quajtur reagim të gabuar, aksionin e Partisë Socialdemokrate tek Kisha Ortodokse Serbe në Prishtinë, shkruan Gazeta Express.

Ai tha se aksionet politiko-simbolike brenda dhe jashtë objektit vetëm sa e faktorizojnë këtë Kishë.

Ai tha se zgjidhja adekuate për Kishën është dryni.

“Aksioni i PSD-së te kisha e Millosheviqit në oborrin e UP-së, është një reagim krejtësisht i gabuar ndaj liturgjisë së djeshme. Spektaklet politiko-simbolike brenda dhe jashtë këtij objekti vetëm sa e faktorizojnë atë dhe kjo gjë përbën edhe objektivin e qeverisë në Beograd. Dardan Gashi e tregoi dje zgjidhjen adekuate: Drynin!”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Në ndërkohë aktivistë të PSD-së kanë realizuar një aksion pranë kishës së braktisur brenda kampusit të UP-së, ku kanë vënë mbishkrimin “Simboli i shovinizmit bëhet faltore: E bekoi Albin Kurti”, raporton Gazeta Express.

“Dje në këtë objekt u mbajt një liturgji kishtare. Në mes të ditës, në mes t’ë Prishtinës, para hundëve të krejt institucioneve, simbolin e shovinizmit duan ta bëjnë faltore. Jemi këtu per një deklaratë: simboli i shovinizmit nuk mund të jetë shtëpi e zotit.  Nuk e kemi ditur, tha ministri i kulturës. Nëse është kështu, atëherë ky është një dështim i madh. Ministri i Brendshëm duhet të jap dorëheqje, AKI duhet të përgjigjet gjithashtu. Kosova qenka krejt e pasigurtë nën udhëheqjen e tyre”, thuhet në deklaratën e PSD-së.

PSD tutje ka deklaruar se objekti i kishës është ndërtuar nën masa të dhunshme.

“Të gjithë duhet ta dijnë se ky objekt është ndërtuar nën masa të dhunshme duke uzurpuar hapësirën e universitetit. Ky objekt për shumicën dërmuese të njerëzve është simbol segregimi, ky objekt brenda hapësirës se universitetit është kujtimi i një projekti për asimilimin e shqiptarëve të Kosovës. Ky objekt, bashkë me kohën e ndërtimit dhe vendndodhjen e tij është muze që na kujton çdo ditë se deri në çfarë hataje mund të shkojë përdorimi politik i religjionit. Megjithatë, ngjarja e djeshme duket të jetë vetëm fillimi i një procesi. Rreziku që na pret është përfshirja e këtij objekti në dialogun që po fillon. Bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur e të mbyllur në qendër të Prishtinës. Kjo nuk është rruga e bashkjetesës”, thuhet në deklaratë.