Pas përpjekjeve të shumta me KEDS-in, po largohet shtylla e largpërçuesit në Transitin e Ri në Prizren, e cila për vite të tëra ka penguar qarkullimin normal të komunikacionit në këtë zonë, ka thënë kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.
“Ky ka qenë një problem i kahmotshëm që qytetarët e kanë vuajtur çdo ditë. Me përkushtimin tonë dhe këmbënguljen për ta zgjidhur, sot kemi një rezultat konkret – shtylla po largohet dhe rruga tashmë do të jetë e lirë për qarkullim”.
Ai theksoi se ky është vetëm një nga hapat e shumtë që po ndërmerren për t’ia lehtësuar jetën qytetarëve.
“Unë kam marrë përsipër të jem gjithmonë në shërbim të qytetarëve. Çdo pengesë, çdo problem që ata e kanë, ne po e adresojmë me vendosmëri. Ky është vizioni ynë – një Prizren me infrastrukturë moderne dhe funksionale, që i shërben zhvillimit dhe jetës së përditshme të qytetarëve tanë”.