Presidenti i rizgjedhur i Barcelonës, Joan Laporta, ka premtuar se një rinovim kontrate për Hansi Flickun është në rrugë, pas fitores në zgjedhjet e së dielës.
Laporta u zgjodh me një shumicë të madhe votash, rreth 70%, duke kaluar Victor Fontin, dhe festoi në mënyrë të veçantë pas rezultatit.
Laporta ishte i pranishëm në “Camp Nou” gjatë fitores 5-2 të Barcelonës ndaj Sevillës.
Pasi rezultati i zgjedhjeve u konfirmua, ai u pa duke festuar në zyra dhe madje hyri edhe në dhomën e zhveshjes.
Ai tregoi për “RAC1” (nëpërmjet “MD”) se festimet zgjatën deri vonë gjatë natës.
Laporta theksoi se një nga pikat kyçe të fushatës së tij ishte vazhdimësia dhe mbështetja për Decon dhe Flickun. Ai premtoi se rinovimi i kontratës së Flickut është afër.
“Ne duam ta rinovojmë kontratën e tij – që skadon më 2027 – deri më 2028, me një sezon shtesë si opsion. Ai është dakord dhe do të njoftojmë marrëveshjen së shpejti. E shoh gjithë mandatin tim me të në krye”, tha ai.
Laporta shtoi se Flicku ka sjellë variacione në stilin e lojës që kanë rikthyer funksionimin e skuadrës me të njëjtat lojtarë që më parë nuk po funksiononin.
Gjithashtu, ai konfirmoi mbështetjen për Decon, kontrata e të cilit skadon në fund të sezonit.
“Do të doja shumë ta rinovoja, sepse po bën një punë të jashtëzakonshme dhe nuk është e lehtë të gjesh harmoninë midis drejtorit sportiv dhe trajnerit”, shtoi ai.
Për merkato, Barcelona pritet të lëvizë për një sulmues për të zëvendësuar Robert Lewandowski, por Laporta nuk ka dhënë garanci për rinovimin e kontratës së veteranit.
Ai gjithashtu ka treguar interes për të bërë të përhershëm huazimin e Marcus Rashfordit nga Manchester Unitedi.
Barcelona ka një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh për Rashfordin, por nuk është vendosur ende nëse do ta aktivizojë.
Për Joao Cancelon, klubi do të shqyrtojë një ofertë nëse lojtari arrin të ndërpresë kontratën e tij të huazimit me Al-Hilalin./GazetaExpress/