Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta thotë se mbetet i bindur që Barcelona do ta fitojë La Ligan këtë sezon, pasi skuadra e Hansi Flick u rrëzua nga vendi i parë nga Real Madridi.
Ka qenë një javë e vështirë për katalanasit, pasi humbja ndaj Atletico Madrid në Kupën e Mbretit u pasua me disfatën 2-1 ndaj Girona të hënën mbrëma në La Liga.
Të dyja ndeshjet patën disa vendime të diskutueshme të gjyqtarëve, por Laporta thotë se pavarësisht gjithçkaje Barcelona mund të triumfojë këtë sezon.
“Ne e mbrojmë Barçën për të shijuar sukses sportiv. Kemi një thesar njerëzish në dhomën e zhveshjes së Barçës, me lojtarë të akademisë dhe të tjerë nga vende të ndryshme që po funksionojnë mirë falë Flick dhe Deco,” tha ai për “Mundo Deportivo”.
“E di atmosferën atje, punën e Flick dhe karakterin e lojtarëve, dhe jam i sigurt që do ta fitojmë La Ligën. Do të jetë një kampionat kundër gjithçkaje dhe të gjithëve, sepse nuk duan vetëm të na mundin në fushë. Duan të na mundin edhe jashtë fushe.
Ka shumë njerëz që nuk duan ta fitojmë; ka disa rrethe pushteti që nuk shkojnë mirë me ne. Kohët e fundit kemi luajtur shpesh të dielave dhe të mërkurave dhe është normale të kemi një rënie forme. Kur kjo ndodh, të tjerët përfitojnë. Për shembull, goditja ndaj Jules Kounde… Do t’i kthejmë gjërat dhe do të rikthejmë stilin tonë të lojës. Kam folur me ta dhe janë shumë të fokusuar.”
Barcelona tani ka disa ditë pushim për t’u rigrupuar para se të rikthehet në aksion kundër Levante, në një ndeshje ku Pedri mund të rikthehet nga lëndimi./GazetaExpress/