Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka folur sot për momentin pozitiv të Raphinhas dhe për të ardhmen e Frenkie de Jong me klubin “Blaugrana”, duke dhënë shpresa rreth vazhdimeve të mundshme të kontratave për të dy lojtarët.
“E dinim se ishte një talent, por çdo lojtar ka nevojë për një periudhë të adaptimit, ndërsa të tjerë kanë nevojë për më shumë kohë”, theksoi fillimisht kreu i klubit katalunas për rritjen e Raphinhas, përcjell “Gazeta Express”.
“Puna që e ka bërë trajneri Flick me Raphinhan ishte e shkëlqyeshme dhe ai është bërë lider i kësaj skuadre, ndihet mjaft rehat në këtë qytet”, vazhdoi presidenti, duke e përshëndetur kontributin e yllit brazilian.
“Vazhdimi i kontratës së tij është njëra prej pyetjeve që na bëhen dhe shpresojmë që këtë ta zgjidhim në ditët apo javët në vazhdim”, shtoi Laporta rreth mundësive për vazhdimin e kontratës me ish-futbollistin e Leedsit.
Ai më pas foli edhe për strategjinë e klubit sa u përket kontratave që po skadojnë.
“Nuk duam që asnjë lojtar të mbetet pezull, i bllokuar dhe në pritje nëse i mbetet vetëm një vit kontratë. Duam t’ua vazhdojmë kontratat sepse e meritojnë, ngase është në interesin tonë që si klub ta mbajmë këtë grup me mentalitet fitues”, nënvizoi Laporta.
Kapitulli Frenkie de Jong: “Kam qenë gjithmonë një fan i De Jong. Është njëri prej lojtarëve që e mban stilin e lojës së Barcelonës, vjen nga shkolla e Ajaxit, e ka një personalitet të fortë dhe mendoj se është duke u zbavitur dhe kënaqur këtu. Tash që është rikthyer, jemi duke punuar për t’ia vazhduar kontratën dhe është mjaft i interesuar dhe entuziast që të qëndrojë këtu. Ne jemi absolutisht të vendosur që të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’u siguruar që De Jong të qëndrojë me ne”, përfundoi Laporta. /Gazeta Express