Prej javësh, sulmuesi i Barcelonës, Ansu Fati, ka qenë në qendër të spekulimeve për një largim të mundshëm gjatë kësaj vere dhe duket se tashmë gjithçka është drejt finalizimit. Presidenti Joan Laporta ka konfirmuar se largimi është i afërt, nëse gjithçka shkon sipas planit.
Pas një sezoni të vështirë nën drejtimin e Hansi Flick, ku Fati ishte i gatshëm për pjesën më të madhe të ndeshjeve por luajti vetëm 289 minuta gjithsej, i riu ka pranuar idenë e klubit për një largim. Të dy palët e konsiderojnë këtë si hapin më të mirë për të rifilluar karrierën e tij pas një serie dëmtimesh që e kanë ndalur progresin.
Monaco është klubi që pritet të sigurojë shërbimet e tij. Sipas raportimeve të Sport, të cituara nga Sempre Barca, Barcelona planifikon të zgjasë kontratën e Fati-t para se ta huazojë te skuadra franceze. Monaco do të ketë mundësinë ta blejë për vetëm 11 milionë euro, ndërsa Barcelona do të ketë të drejtën e blerjes së parë për 28 milionë euro nëse dëshiron ta rikthejë në të ardhmen.
Fati pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore të enjten te Monaco, pas pushimeve që i ka kaluar në New York dhe Uruguai, ndërsa të premten është planifikuar të firmosë marrëveshjen. Monaco do të mbulojë 50% të pagës së tij, pas negociatave me Barcelonën që fillimisht kërkonte 30%.
Presidenti Joan Laporta, i cili mori pjesë në një event të klubit të mërkurën mbrëma, konfirmoi për Sport se marrëveshja është drejt përmbylljes:
“Nëse gjithçka shkon mirë, do të kemi lajme të mira këtë javë dhe Ansu do të shkojë te Monaco.”