Lankshi, mbështetës i letërsisë shqiptare - Gazeta Express
string(42) "lankshi-mbeshtetes-i-letersise-shqiptare-2"

Lankshi, mbështetës i letërsisë shqiptare

Arte

Gazeta Express

13/09/2023 13:31

Joakim Lanksh (1943 -2019) ishte i njohur si studiues, përkthyes dhe mbështetës i letërsisë dhe kulturës shqipe në Gjermani dhe Europë. Lankshi ka përkthyer në gjermanisht shkrimtarë e poetë të spikatur, si Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti, por edhe autorë të tjerë si Frederik Rreshpja, Jamarbër Marko, Rudolf Marku, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Primo Shllaku, Ledia Dushi, etj. Lankshi konsiderohet si një ambasador i rrallë i kulturës dhe letërsisë shqipe. Pas viteve ’90-të, studiuesi gjerman u përfshi në problemet e zhvillimit të kulturës shqiptare, kur sa e sa herë u bë mjeshtër i replikave kundrejt problemeve të mëdha të trashëgimisë kulturore dhe problemeve të aktualitetit.

Lanksh ka nisur të përkthejë letërsi shqipe në gjermanisht, në vitet ’80-të, ku përveç Camajt që jetonte në Gjermani, ai kishte takuar poetët e mëdhenj të Kosovës, si: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Rrahman Dedaj, etj. Vetë Lankshi është shprehur se pas viteve ’90-të ka “gjetur” e klasën e poetëve të viktimizuar nga diktatura. Për gjuhën shqipe, ai shprehej, se e pëlqente më tepër gegnishten letrare, “por më pëlqen po kaq idiomi jugor, gjuha e Lasgushit, Kutelit, Trebeshinës etj.

Lexo Edhe:

Po ashtu, ai nuk ka qenë pasiv as për kritikën letrare në Shqipëri, duke theksuar mungesën e plotë të saj: “Kritika letrare shqiptare pothuaj nuk ekziston. Zëvendësohet nga puna klanore. Kritika u televizionit. Çështje sipërfaqësore. Përmenden dhe laureohen penda të një karuseli gjithnjë e më shumë emrash të njëjtë. Kritika e përkthimit letrar mungon totalisht (ngjashëm me gjendjen në Gjermani). Mungojnë kritikët që njohin mjaftueshëm të dyja gjuhët. “Kritika” shteret me klishetë qesharake se përkthyesi përdor “një shqipe të rrjedhshme”, – ka vërejtur albanologu.

Në të njëjtën kohë, Lankshi nuk reshti së përkrahuri vlerat e rralla, duke thirrur për më shumë vëmendje karshi poetit Martin Camaj, i padëshiruar në Shqipërinë komuniste të kohës. Ai ishte i mendimit, me të drejtë, se pavarësisht se Camaj jetonte në Gjermani, ai shkruante letërsi shqipe dhe ishte pjesë e saj. “Shkrimtarin Martin Camaj nuk e nxori diaspora, mërgata a ekzili, por tradita e letërsisë shqipe dhe thesari i traditave gojore të Shqipërisë së Veriut. Në krijimtarinë e Martin Camajt, nuk gjenden elementet tipike të shkrimtarëve të mërgatës a ekzilit. Ata zakonisht merren qoftë me letërsi sentimentale patriotike, që e idilizon dhe glorifikon atdheun, qoftë me letërsi të politizuar që e akuzon vendlindjen dhe rrethanat politike në të. Autorë të tillë, zakonisht merren edhe me shkrime gazetareske që e damkosin sistemin diktatorial në vendlindje. Ndryshe nga ata, shkrimtari Camaj shkroi me këmbëngulje letërsi, letërsi të mirëfilltë dhe asgjë tjetër. Ai është një autor i letërsisë shqiptare në kohën e diktaturës komuniste, një jokonformist për nga stili e estetika dhe për nga përmbajtja e veprës së tij, një shkrimtar jashtë kornizave të letërsisë zyrtare të kohës, por jo jashtë kornizave të letërsisë së Shqipërisë”, – ka shkruar përkthyesi dhe albanologu gjerman./Hejza