Për rreth dy orë e gjysmë, familjarë, miq, kolegë, politikanë dhe personalitete të artit e kulturës i dhanë lamtumirën e fundit gazetarit dhe analistit Artur Zheji, i cili ndërroi jetë në mënyrë të papritur në moshën 64-vjeçare nga një arrest kardiak. Homazhet u mbajtën në Universitetin e Arteve të Bukura, aty ku Zheji ishte diplomuar për regji.
Në hyrje u vendos edhe një kurorë me lule në emër të kryeministrit Edi Rama. Figura të shumta publike e kujtuan si një zë të rëndësishëm të mendimit të lirë dhe gazetarisë shqiptare. Deputeti Arben Pëllumbi e cilësoi “një figurë të mendimit të lirë”, ndërsa ministri Blendi Gonxhja theksoi anën e tij krijuese. Sali Berisha e përshkroi si një zë të veçantë e të respektueshëm në analizë, ndërsa Tedi Blushi e quajti “patriot në mbrojtje të lirisë së medias”.
Artisti Timo Flloko e përshkroi si “një shpirt artisti dhe erudit i rrallë”, ndërsa ish-ministri Paskal Milo kujtoi rolin e tij në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe Kosovës.
Zheji u nda nga jeta në Sarandë, ku ndodhej për të festuar ditëlindjen e të birit, duke lënë pas një kontribut të çmuar në gazetari, publicistikë dhe mendimin kritik shqiptar.