Frank Lampard e ka kujtuar një takim që e kishte kohëve të fundit me Cristiano Ronaldon në një plazh, pa e specifikuar se në cilin vend.
Ish-futbollisti anglez e pranon se ishte kompleksuar nga fizikusi i legjendës portugeze.
Madje, ishte detyruar ta vishte një bluzë kur kishte dalë në fotografi me “CR7”, shkruan “Gazeta Express”.
Në fakt, ideja ishte që djali i legjendës së Chelseat të bënte foto me 40 vjeçarin, por që edhe vetë ish-përfaqësuesi anglez e kishte shfrytëzuar rastin dhe e kishte bërë një foto me ish-futbollistin e Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Juventusit, i cili aktualisht luan në Al Nassr.
“E takova rastësisht Cristiano Ronaldon në pushime para disa muajsh. Ai ishte në të njëjtin hotel. U sigurova të mbaja distancë, ai ishte në formë të jashtëzakonshme.”
“E ndala për një foto me djalin tim për faktin se ai ishte një lojtar i jashtëzakonshëm. Unë e vesha shpejt bluzën time dhe e bëra një foto të bukur me të. Gjithashtu, e vura re se ai shkonte në palestër (fitness) dy herë në ditë me trajner personal. Kjo e tregon thjeshtë përkushtimin e tij ndaj asaj që e bën.”
“Po e pija një birrë, e shikoja dhe e duartrokita ndërsa ai po kthehej!” /Gazeta Express