Lamine Yamal, një nga talentet më premtuese të futbollit botëror, mbush sot 18 vjeç – një ditë e veçantë jo vetëm për të, por edhe për të gjithë tifozët e Barcelonës dhe të Spanjës që e kanë parë të rritet brenda dhe jashtë fushës.
Yamal, i cili ka mahnitur që në debutimin e tij me ekipin e parë të Barcelonës, është kthyer në simbol të brezit të ri katalanas që synon t’i rikthejë klubit lavdinë e dikurshme.
Në një moshë ku shumica e bashkëmoshatarëve të tij sapo kanë mbaruar shkollën e mesme, Lamine numëron tashmë tituj, gola të rëndësishëm dhe paraqitje vendimtare për “Blaugranat”, por edhe për Kombëtaren e Spanjës.
Në sezonin që lamë pas, Yamal ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm për Barcelonën.
Shpejtësia, teknika dhe pjekuria e tij në fushë kanë bërë që shumë ekspertë ta krahasojnë me legjendat më të mëdha që kanë veshur fanellën blaugrana.