Lakers pësojnë humbjen e dytë radhazi, reagojnë Clippers e Phoenix - Gazeta Express

Lakers pësojnë humbjen e dytë radhazi, reagojnë Clippers e Phoenix

Sport

Gazeta Express

29/01/2021 9:55

Los Angeles Lakers pëson humbjen e dytë radhazi dhe të 5-tën sezonale, pasi u mposht 107-92 në transfertën ndaj Detroit Pistons. Në “Caesars Arena” kalifornianët shkuan pa Anthony Davies dhe grekun Antetokounmpos, të cilët vijojnë të jenë të dëmtuar, ndërsa LeBron James nuk u ngrit në lartësinë e pritshmërive, pasi shënoi vetëm 22 pikë.

Nga ana tjetër Detroit Pistons, që nuk po bën një sezon aspak të mirë deri në këto momente, pasi ka humbur 14 nga 19 ndeshjet, mori kontrollin e lojës që në fillim dhe fitoi tre nga 4 fraksionet e ndeshjes, duke marrë me meritë suksesin e 5-të sezonal.

E nëse Lakers pësojnë humbjen e dytë radhazi, skuadra tjetër kaliforniane, Los Angeles Clippers reagoi mjaft mirë pas disfatës së dy ditëve më parë, pasi ia doli të triumfojë me shifrat 105-109 në transfertën ndaj Miami Heat.

Në “Airlines Arena” vendasit e nisën vrullshëm ndeshjen dhe fituan setin e parë me 14 pikë diferencë, por fraksioni i dytë dhe i tretë folën totalisht për kalifornianët që shkuan në pjesën e fundit me 19 pikë avantazh.

Kaq ishin të mjaftueshme për të lejuar një lëshim të lojës në pjesën e fundit, që u dominua nga Miami i udhëhequr nga Herro dhe Vincent, por që gjithsesi vendasit nuk ia dolën të shmangin humbjen e pestë radhazi.

Një histori pak a shumë të njëjtë pati edhe sfida Houston Rockets-Portland Trail Blazers, me vendasit që në fund ia dolën të triumfojnë me shifrat 104-101 dhe të sigurojnë fitoren e katërt radhazi, që i çon shumë pranë zonës Play Off në Konferencën e Perëndimit.

I udhëhequr nga forma mjaft e mirë e Lillard, Portland ia doli të fitojë bindshëm fraksionin e parë, por në dy pjesët e tjera pësoi një “black out” dhe nga kjo përfitoi Houston, që siguroi një avantazh të mjaftueshëm për të marrë fitoren.

Pas tre humbjeve radhazi, reagoi mjaft mirë edhe Phoenix Suns, që triumfoi me rezultatin e thellë 114-93 ndaj Golden State Warriors. Këta të fundit nuk mundën të bëjnë asgjë përballë furisë vendase dhe forma mjaft e mirë e Stephan Curry-t me 27 pikë, 4 asiste e 4 rikuperime, nuk shërbeu për të shmangur humbjen.