Zyrtare: Napoli e shkarkon Ancelottin, përkundër kualifikimit


Gazeta Express
10 Dhjetor 2019 23:47

Napoli e ka shkarkuar Carlo Ancelottin nga posti i trajnerit, pak orë pasi e drejtoi klubit drejt kualifikimit në mesin 16 skuadrave më të mira në Ligën e Kampionëve.

Shkarkimi i Ancelottit vjen pak orë pasi ai e udhëhoqi Napolin drejt fitores 4:0 kundër Genkut dhe kualifikimin në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.

Napoli njoftoi përmes një postimi në Twitter se ka vendosur ta shkarkojë Ancelottin nga pozita e trajnerit të ekipit të parë, raporton Gazeta Express.

“Napoli ka vendosur ta largojë Carlo Ancelottin nga posti i trajnerit të ekipit të parë”, thuhet në njoftimin e klubit.

“Marrëdhëniet miqësore, admirimi dhe respekti i ndërsjellë mes klubit, presidentit të klubit dhe Carlo Ancelottit mbesin të paprekura”, thuhet tutje në njoftim.

Sky Sport raporton se Ancelotti pati një takim të shkurtër me presidentin e Napolit, Aurelio De Laurenttis, i cili ia komunikoi atij vendimin për ta shkarkuar.

Pas ndeshjes kundër Genkut, Ancelotti tha në konferencë për media se nuk e kishte ndërmend të jepte dorëheqje.

Napoli po kalon nëpër një formë tejet të dobët n Serie A këtë sezon, pasi ngel në vendin e 7-të me vetëm 21 pikë pas 15 ndeshjeve.

/Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart