Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka reaguar pasi i është djegur vetura sonte rreth orës 18:30 në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.
Përmes një postimi në Facebook, Bajqinovci tha se para se vetura të merrte flakë, kishte arritur të dilte nga automjeti.
Tutje ai ka falenderuar Policinë dhe zjarrfikësit për ndërhyrjen.
“Sonte rreth orës 18:30 më është djegur vetura duke e vozitur, për fat të mirë para se të merr flakë dola nga automjeti.I falenderoj policinë dhe zjarrfikësit për ndërhyrjen”, ka shkruar Bajqinovci.
Sonte rreth orës 18:30 më është djegur vetura dhe kjo ka ndodhur menjëherë pas ndezjes,për fat të mirë para se të merr flakë automjeti, kam arritur të dal. I falenderoj policinë dhe zjarrfikësit për ndërhyrjen.
Posted by Mefail Bajqinovci on Monday, February 22, 2021
Rastin e ka konfirmuar për Express edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci.
Ai tha se nga zjarri është prekur edhe një veturë tjetër që ishte pranë veturës së përfshirë në zjarr.
“Rreth orës 19:00 është raportuar për një veturë me targë Kosove të përfshirë nga zjarri në lagjen Arbëria në Prishtinë. Nga zjarri është prekur edhe një veturë afër veturës që kishte marrë flakë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët e kanë menaxhuar përhapjen e zjarrit. Aktualisht policia ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve që konsistojnë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, ka thënë Borovci.