Ardon Jashari i është bashkuar sot Club Brugget në përgatitje për sezonin e ardhshëm.
Portali belg “hln.be” raportoi sot se ylli shqiptar ka ushtruar në mëngjesin e sotëm rregullisht në kampin Belfius pasi kishte munguar në angazhimet paraprake, përcjell “Gazeta Express”.
Jashari fillimisht do të ushtrojë individualisht para se t’i bashkohet më pas grupit të futbollistëve në stërvitje.
Për ta parë përfaqësuesin zviceran në aksion edhe në fushën e blertë duhet të presim deri më 27 korrik për ndeshjen e xhiros së parë të sezonit të ri kundër Genkut.
Sa u përket bisedimeve me Milanin, portali belg shpjegon se po vazhdon “status quo”.
Club Brugge në ditët e fundit ka sqaruar se lojtari nuk është në shitje dhe se një gjë e tillë do të konsiderohej vetëm nëse arrin një ofertë e parefuzueshme dhe e parezistueshme nga ana e Milanit.
Një propozim që, e thënë nga zikaltrit nga Belgjika, nuk është formuluar kurrë.
Prandaj, po shtohen gjithnjë mundësitë që ish-futbollisti i Luzernit të qëndrojë në Belgjikë edhe në edicionin e ardhshëm, aty ku ishte shpallur futbollisti i vitit për sezoni 2024/25.
Në ditët e kaluara Jashari nuk kishte marrë pjesë në disa evente publike të Club Brugge, prej tyre edhe në prezantimin e fanellave të tyre dhe në festën e tifozëve.
Sidoqoftë, ai sot ishte prezent në stërvitje dhe duket se është rikthyer qetësia e stabiliteti në Club Brugge.
Lojtari nuk e ka fshehur dëshirën për t’iu bashkuar Milanit duke hequr madje dorë nga disa oferta që i kishin ardhur, përfshirë ato nga Anglia e nga Gjermania. /Gazeta Express