Ka raportime të reja për një problem potencialisht serioz me lëndimet te Napoli, pasi Rasmus Hojlundi mund të mungojë në përballjen e sotme ndaj Milanit.
Ndeshja zhvillohet në stadiumin “Stadio Diego Armando Maradona” në orën 20:45, shkruan “Gazeta Express”.
Mendohej se kriza e lëndimeve për trajnerin Antonio Conte po qetësohej, pasi Kevin De Bruyne, Scott McTominay dhe Andre-Frank Zambo Anguissa pritet të jenë titullarë sonte.
Megjithatë, lista e mungesave mbetet e gjatë, ku përfshihen Romelu Lukaku, David Neres, Giovanni Di Lorenzo dhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani.
Sipas “Il Mattino”, ekzistojnë shqetësime se edhe Hojlundi mund të mungojë, pasi po vuan nga një dëmtim i pësuar gjatë angazhimeve me kombëtaren.
Nuk është ende e qartë natyra e saktë e dëmtimit, por ai mbetet në dyshim për këtë ndeshje.
Me Lukakun jashtë planeve pas refuzimit për t’u kthyer më herët nga Belgjika – duke preferuar trajtimin atje në vend të stafit mjekësor të klubit – opsionet në sulm janë shumë të kufizuara.
Si alternativë, në rolin e sulmuesit qendror mund të aktivizohet Giovane, me mbështetje nga De Bruyne./GazetaExpress/