Real Madrid e ka vënë forcimin e mbrojtjes si një nga prioritetet kryesore të kësaj vere, me Dean Huijsen dhe Trent Alexander-Arnold që kanë mbërritur për një kosto totale rreth 70 milionë euro para Kupës së Botës për Klube.
Së paku një përforcim tjetër pritet të vijë, por një përditësim i ri mbi gjendjen e lëndimeve mund të ndikojë edhe në largimet e planifikuara.
Sipas Marca, mbrojtësi i majtë Ferland Mendy do të mungojë më gjatë sesa ishte parashikuar fillimisht. Francezi pësoi një këputje të muskulit në fund të muajit prill dhe ishte një nga tre lojtarët që iu nënshtruan ndërhyrjes kirurgjikale brenda një kohe të shkurtër.
Fillimisht u tha se ai do të mungonte tre muaj, çka do të nënkuptonte rikthimin në formë për fillimin e sezonit në gusht, por raporti thekson se “Los Blancos” nuk po llogarisin që Mendy të jetë plotësisht i gatshëm para muajit tetor.
Kjo do të thotë se për Kupën e Botës për Klube, Xabi Alonso do të ketë në dispozicion vetëm Fran Garcian si mbrojtës të majtë natyral, ndonëse David Alaba mund të luajë në atë pozitë pas rikuperimit, po ashtu edhe Eduardo Camavinga.
Fran Garcia është në mesin e lojtarëve për të cilët Alonso do të marrë një vendim përfundimtar pas përfundimit të turneut, por deri atëherë ai do të ketë një mundësi të artë për të treguar veten pa konkurrencë të drejtpërdrejtë.
Plani fillestar i klubit ishte që të paktën njëri nga Garcia apo Mendy të largohej gjatë kësaj vere, por në varësi të ecurisë së të dyve në muajt në vijim, Alonso mund të ketë tre mbrojtës të majtë në skuadër deri në janar.
Qumështorja Vita vjen me kampanjën e saj më të re, “Rritna tu pi Vita”, një vazhdimësi e natyrshme dhe...