Lajçakun e vërshojnë me kritika pasi nuk përmendi emrin e Kosovës - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

16/04/2021 10:29

Lajçakun e vërshojnë me kritika pasi nuk përmendi emrin e Kosovës

Lajme

Gazeta Express

16/04/2021 10:29

Përfaqësuesi Special i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak ka pasur një bashkëbisedim virtual me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi të cilit i është referuar si numri dy i qeverisë por pa e përmendur Kosovën për të cilën ka pasur kritika të shumta nga komentuesit në Twitter, raporton Gazeta Express.

Pjesëtarë të shoqërisë civile dhe qytetarë të shumtë kanë kritikuar Lajçakun pse nuk e përmendi qeverinë e Kosovës pjesë e së cilës është edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Atij i ka reaguar me ironi edhe ish-ambasadorja Vlora Çitaku, duke shkruar se me siguri Lajçaku nuk po e përmend Kosovën për të shtyrë njerëzit të hulumtojnë se i cilit shtet është zëvendëskryeministri Bislimi.

Diplomatit sllovak i është thënë se nuk mund të pretendojë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nëse nuk e përmend shtetin e Kosovës në postimet e tij.

Emisari i BE-së, ka shkruar në Twitter se ka pasur një bashkëbisedim me Besnik Bislimin dhe është pajtuar që të bisedojnë sërish së shpejti.

Besnik Bislimi është ngarkuar nga kryeministri Albin Kurti që të merret edhe me punën e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet që të rifillojë por ende nuk ka një datë apo muaj të saktë se kur palët do të ulen në tavolinën e bisedimeve./GazetaExpress/