Laborator për falsifikim dokumentesh pas dollapit të rrobave, çelësi “magjik” hapte derën, çmimi i një pasaporte arrinte 20 mijë euro - Gazeta Express
string(129) "laborator-per-falsifikim-dokumentesh-pas-dollapit-te-rrobave-celesi-magjik-hapte-deren-cmimi-i-nje-pasaporte-arrinte-20-mije-euro"

Shqiperi

Gazeta Express

06/07/2025 12:02

Laborator për falsifikim dokumentesh pas dollapit të rrobave, çelësi “magjik” hapte derën, çmimi i një pasaporte arrinte 20 mijë euro

Shqiperi

Gazeta Express

06/07/2025 12:02

Zbulohen detaje të reja në lidhje me laboratorin e  sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve zyrtare, operacion i zhvilluar nga strukturat e Antitrafiqeve në Tiranë.

Dy persona, babë e bir, Ylli dhe Pjerin Brahimaj, janë arrestuar në flagrancë, pasi në banesën e tyre në zonën e Tufinës, në rrugën “Myslym Keta”, kishin ndërtuar një dhomë të fshehtë të pajisur me të gjitha mjetet për prodhimin e pasaportave, kartave të identitetit, patentave dhe certifikatave të pronësisë, të gjitha false.

Sipas burimeve nga policia, hyrja në dhomën e fshehtë ishte e maskuar brenda një dollapi rrobash dhe funksiononte përmes një mekanizmi inteligjent: një çelës dritash i zakonshëm dhe një prizë, ku duhej futur një karikues celulari për të aktivizuar hapjen e derës.

Autoritetet shpërthyen derën pasi nuk ishin në dijeni të sistemit. Hetimet zbuluan se Ylli Brahimaj ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, i vendosur nga SPAK për të njëjtat vepra penale.

Megjithatë, ai kishte vijuar aktivitetin kriminal nga brenda banesës.

Në kuadër të hetimeve, është marrë në pyetje edhe një 62-vjeçar, pronar i një studioje grafike jo shumë larg banesës së Brahimajve, i cili dyshohet se bashkëpunonte me ta në përpunimin e fotove dhe formularëve për falsifikim.

Gjatë kontrollit, policia sekuestroi një sasi të madhe dokumentesh false, kryesisht greke, italiane dhe amerikane, si dhe para të dyshuara si të falsifikuara. Zbulimi i këtij laboratori përbën një provë kyçe për hetimet që po zhvillon SPAK ndaj këtij grupi.

Sipas hetimeve, pasaportat e falsifikuara, me shtetësi të huaj, shiteshin nga 15 000 deri në 20 000 euro dhe përdoreshin për të kaluar ilegalisht drejt vendeve të BE-së apo edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.