Barcelona nuk ka mundur ende t’i veshë fanellat e reja në gara zyrtare në sezonin 2025/26, një situatë që po shkakton kokëçarje edhe në shtëpinë e Nike, sponsor teknik i klubit që 27 vjet.
Siç raporton mediumi spanjoll “Sport”, La Liga në fakt ia ka mohuar gjigantit katalunas që t’i përdorë tri fanellat e reja, klasiken “Blaugrana”, të verdhën dedikuar Kobe Bryantit dhe të tretën me ngjyrë portokalli, e inspiruar nga Total 90 historik, në dy ndeshjet e para të kampionatit kundër Mallorcas e Levantes, përcjell “Gazeta Express”.
Arsyeja? Shumë ngjashmëri ngjyrash me uniformat dhe pantallonat e shkurtra të kundërshtarëve të tyre.
Për më tepër, tri ndeshjet radhazi jashtë fushe e kanë komplikuar më tej zgjedhjen e kombinimeve.
Përballja me Real Madridin është e pashmangshme: “Los Blancos”, në një situatë të ngjashme, e zgjidhën problemin duke i përzier fanellat dhe pantallonat e shkurtra nga uniforma të ndryshme, duke siguruar ende një identitet të qartë vizual.
Klubi katalanas, megjithatë, preferoi të mos përdorte zgjidhje “hibride” për ta ruajtur koherencën estetike të uniformave të reja, të cilat u zgjodhën me vëmendje të madhe komerciale dhe simbolike.
Lajmi i mirë për tifozët është se pritjes po i vjen fundi.
Barcelona mund të debutojë më në fund me fanellat kryesore në sfidën e ardhshme kundër Rayo Vallecanos, ndërsa fanella e dytë pritet të debutojë në xhiron e gjashtë, në shtëpi të Oviedos.
Një rast kurioz, i cili demonstron se si edhe detajet e dizajnit dhe të rregullave mund të ndikojnë në imazhin dhe në strategjinë komerciale të një klubi si Barcelona. /Gazeta Express