Kylian Mbappe ka shkëlqyer në fitoren e Real Madridit në udhëtim te Kairat Almaty në Kazakistan, me ndeshjet e luajtur në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Francezi shënoi tregolësh në fitoren prej 5-0, duke konfirmuar formën e tij të jashtëzakonshme në këtë fillimsezoni. 26-vjeçari ka shënuar 15 gola në 11 ndeshje në këtë edicion të ri garash.
Ndërkohë, Reali i kthehet fitores, pas humbjes turpëruese nga Atletico Madridi në fundjavë, me shifrat prej 5-2.
Skuadra e Xabi Alonsos fitoi në udhëtimin e ‘vështirë’ në Almaty të Kazakistanit, me rezultat prej 5-0.
Kylian Mbappe e shënoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 25-të të ndeshjes, me anë të penalltisë, pasi paraprakisht skuadra vendase po dominonte me raste shënimi.
Të dytin, francezi e shënoi në minutën e 52-të, pas një asistimi nga portieri Thibaut Courtois.
Mbappe e kompletoi hat-trickun në minutën e 74-të, pas një super depërtimi nga Rodrygo dhe asistimit të Arda Gulerit.
Nëntë minuta më vonë shënoi zëvendësuesi Eduardo Camavinga, me kokë, pas asistimit të Rodrygos.
Golin e fundit të ndeshjes e shënoi Brahim Diaz në minutën e 93-të.
Reali tashmë shkon në kuotën e gjashtë pikëve pas dy ndeshjeve në Ligën e Kampionëve, teksa paraprakisht e kishte mposhtur Marseillen 2-1.
Kairati në anën tjetër e pësoi humbjen e dytë rresht, pasi u mposht nga Sportingu i Lisbonës në xhiron e parë./GazetaExpress/