Dy vitet e Kurt(h)it - Gazeta Express
string(18) "ky-vitet-e-kurthit"

Dy vitet e Kurt(h)it

OP/ED

Gazeta Express

23/03/2023 16:51

Ekzekutivi aktual dha shembull jashtëzakonisht të keq në komunikimin me mediat. Përveç shmangies nga to, media të caktuara u përballën plot herë me etiketime e linçime nga eksponentë të lartë të ekzekutivit dhe të zyrtarëve të partisë në pushteti. Thua se ato ishin shkaktari i kurthit të tyre në pushtet. I këtij pushteti dyvjeçar, me në krye Albin Kurt(h)in

Shkodran Hoti

Lexo Edhe:

Mbrëmë, në orën 19:48, u mbushën fiks dy vite nga votimi i Qeverisë Kurti 2. Siç do të kishte dëshirë ta komplikonte kryeministri Albin Kurti me kalkulime, i bie që dje janë bërë plot 730 ditë prej se ky i fundit është në pushtet, apo plot 17 mijë e 520 orë ose 1 milion e 51 mijë e 200 minuta.

Për herë të dytë në karrigen e parë të ekzekutivit, Albin Kurti arriti të ulet pas një triumfi historik në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, duke rrëmbyer plot 50.28% të votave. Me një rezultat të tillë, të paparë në historinë elektorale të Kosovës, u krijua edhe përshtypja për një qeverisje të papërjetuar deri atëherë.

Me premtime të shumta dhe hovshëm, Kurti nisi mandatin si kryeministër, herë duke u portretizuar si luan që do ta marrë në kontroll “xhunglën e keqqeverisur” që 20 vite, e herë si fshesa që do t’i pastronte “ndyrësirat” e pushteteve të kaluara. Megjithëkëtë, përtej arsyetimeve që janë të pritshme prej çdo pushtetari kur s’jep rezultatet e premtuara, dy vitet e Kurtit s’janë shumë të dallueshme – për të mirë – nga ato 20 para tij, të demonizuara skajshmërisht.

Fillimisht, kryeministrit Kurti iu përmbysën prioritetet e paraqitura në garën elektorale. Dy vitet e tij të para i dominoi përkushtimi për dialogun Kosovë-Serbi, që në kohën e zgjedhjeve zotohej se do të ishte si prioritet i shtatë apo i tetë. Në këtë proces të stërzgjatur, ish-opozitari që me çdo mjet kundërshtonte negociatat, u shndërrua në një negociator të gatshëm për t’i jetësuar kompromiset e mëhershme e për të arritur të reja. Ai rrënoi edhe historikun e rezistencës së tij ndaj shumë proceseve. Pranoi edhe atë që e quante “Zajednicë” duke ia rivendosur emrin origjinal “Asociacion”, e duke e kamufluar me termin “vetëmenagjim”.

Kurti gjithashtu harroi dialogun me serbët lokalë, duke u fokusuar vetëm në takimet me Aleksandër Vuçiqin. Integrimin e premtuar të këtij komuniteti joshumicë e zëvendësoi me tensione të krijuara në veri e hallakamë në institucione, si pasojë e vendimeve të marra pa u koordinuar me faktorin ndërkombëtar. Veprimet e tij prodhuan edhe barrikada në veri, të cilat ishte i paaftë t’i largonte pa eskavatorët dhe kamionët e KFOR’it.

Kryeministri Albin Kurti ishte zotuar edhe për revolucionarizimin e ekonomisë së vendit. Megjithatë, derisa s’arriti të ndërmarrë as reforma të ndjeshme në këtë fushë, ai vazhdoi avazin e ish-pushtetarëve që bëjnë lojëra me shifra. Duke manipuluar me rihapjen e bizneseve në periudhën post-izolim gjatë pandemisë, ai dhe qeveria e tij krekoseshin me rritjen ekonomike 10.7% në vitin 2021. Por, kur të dhënat e Bankës Botërore për vitin 2022 paraqitën rritjen ekonomike më të ngadaltë në dekadën e fundit – pak mbi 3% – ekzekutivi s’preferoi ta merrte përsipër këtë ngecje.

Në anën tjetër, ani pse si ish-opozitar Kurti e kishte sjellë në jetë kampanjën për bojkotimin e produkteve me origjinë nga Serbia, në mandatin e tij si kryeministër, importi nga ky shtet u rrit. Fqinji ynë verior ngel vendi i CEFTA’s, prej të cilit importohet më së shumti. Madje Serbia, është në mesin e katër partnerëve tregtarë kryesor të Kosovës. Kurse, reciprocitetin e premtuar brenda pak muajve ndaj shteti serb, kryeministri Kurti s’e vendosi as pas dy viteve.

Ky ekzekutiv s’arriti të lë gjurmë as në dy fusha për të cilat partia në pushtet, dikur si subjekt opozitar fliste për nevojën e intervenimit urgjent – në arsim e shëndetësi.

Përpjekjen për rritje të kualitetit në arsim, qeveria e Albin Kurtit e la anash. Në vend të kësaj ajo hapi front të përplasjes me Sindikatën e Arsimit, duke i atakuar drejtuesit e saj në forma të ndryshme. Kësisoj, vendin e futën në një grevë mbi njëmuajshe. Ndërkohë, zotimet për investimet konkrete, siç ishte ndërtimi i 160 çerdheve të reja, rezultuan si dështime spektakulare, pasi që në gjysmën e mandatit të parë janë vetëm 4 të përfunduara.

Tollovi edhe më e madhe se në arsim, u përjetua në dikasterin e shëndetësisë. Brenda tetë muajve në krye të kësaj ministrie u vendosën e zhvendosën tre drejtues, e brenda dyvjeçarit këta tre persona u emëruan e riemëruan pesë herë. Fillimisht u emërua ministër Arben Vitia e pas shtatë muajve dha dorëheqje duke synuar postin e kryetarit të Prishtinës, për t’u zevendësuar nga U.D. Dafina Gexha. Ajo mbajti pozitën rreth një muaj e gjysmë, për t’u emëruar më pas ministër Rifat Latifi, që në krye të shëndetësisë qëndroi për më pak se 11 muaj. Rreth tre muaj pas këtij momenti, ekzekutivi s’jepte emër të ministrit të ri, duke e lënë ta ushtrojë këtë detyrë sërish Dafina Gexhën, deri në riemërimin e Arben Vitisë. Krahas kësaj katrahure me emrin e të parit të kësaj ministrie, asnjë projektligj që mundëson reforma në këtë sektor nuk u miratua.

Për këto dy vite, kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e drejtuar nga ai, u kurthuan me përgjegjësitë e detyrat edhe në fusha të tjera. As për së afërmi, gjatë kësaj periudhe s’iu afruan synimeve që kishin, kurse angazhimi i tyre ishte larg prioriteteve të shpalosura. Njëkohësisht, transparenca e këtij pushteti ishte minimale. E, sikur kjo të mos mjaftonte, ekzekutivi aktual dha shembull jashtëzakonisht të keq në komunikimin me mediat. Përveç shmangies nga to, media të caktuara u përballën plot herë me etiketime e linçime nga eksponentë të lartë të ekzekutivit dhe të zyrtarëve të partisë në pushteti. Thua se ato ishin shkaktari i kurthit të tyre në pushtet. I këtij pushteti dyvjeçar, me në krye Albin Kurt(h)in.