Kvitova mposht kinezen Zhang dhe kalon në çerekfinale - Gazeta Express
string(53) "kvitova-mposht-kinezen-zhang-dhe-kalon-ne-cerekfinale"

Gazeta Express

05/10/2020 20:35

Kvitova mposht kinezen Zhang dhe kalon në çerekfinale

Gazeta Express

05/10/2020 20:35

Petra Kvitova u kualifikua për në fazën çerekfinale të Turneut të Madh të Francës Roland Garros, për herë të parë që nga viti 2012. Tenistja e mirënjohur çeke mundi pa shumë vështirësi, në vetëm dy sete 31-vjeçaren kineze Shuai Zhang, që pozicionohet në vendin e 40 në renditjen e përgjithshme botërore WTA.

Duke parë eliminimet surprizë, tërheqjet apo qoftë edhe mungesat e bujshme tani me të drejtë Petra Kvitova konsiderohet si tenistja favorite për të triumfuar në edicionin e sivjetshëm të Slam-it parizien, natyrisht për shkak edhe të eksperiencës së saj të madhe, krahasuar me emrat e tjerë që kanë mbetur ende në garë.

Lexo Edhe:

Në kryeqytetin francez dy tenistet zbritën në fushën qendrore “Philippe Chatrier” të mbuluar, për shkak të reshjeve të shumta të shiut që kanë pushtuar Parisin, sidoqoftë pa u munduar shumë 30-vjeçarja çeke fluturoi shpejt e shpejt në avantazhin 4-0. Pasi fitoi lehtë setin hapës numri 11 I botës e theu kundërshtaren e saj që në game-n e parë të setit të dytë, për t’u shkëputur në shifrat 2-0.

Të dyja tenistet nuk kishin humbur asnjë set derisa mbërritën në fazën e 1/8, gjithsesi shtatlarta çeke u tregua e qetë dhe bëri lojën e saj, duke përfituar njëkohësisht edhe nga gabimet e shumta të tenistes kineze. E vetmja notë negative për të u shënua në game-n e tetë të setit të dytë, kur Kvitova po shërbente vetë për ta mbyllur takimin.

Shuai Zhang shtoi agresivitetin në lojë, duke e vënë në vështirësi në servis tenisten që ka triumfuar dy herë në Wimbledon, në vitet 2011 e 2014. Për rrjedhojë 30-vjeçarja shkaktoi tre gabime, duke i dhuruar game-n e vetëm me break tenistes nga Tianjini. Takimi natyrisht u zhvillua në rrethana të ndryshme nga zakonisht, sepse nga moti i ftohtë dhe plot erë dy tenistet u shtrënguan për të luajtur në një ambient të mbyllur.

Përfundimisht Petra Kvitova fitoi sfidën e raundit të katërt në Roland Garros me rezultatin 6-2, 6-4 në 85’ gjithsej duke marrë gjithashtu edhe kryesimin 3-2 në përballjet ndërmjet tyre dhe në fazën çerekfinale veterania ceke do të masë forcat me numrin 66 të botës, 32-vjeçaren gjermane Laura Siegemund, që mposhti në vetëm dy sete 7-5, 6-2 spanjollen Paula Badosa.

Kvitova pati përqindje më të mira në shërbim se sa kundërshtarja e saj dhe përfitoi sigurisht nga kushtet apo dhe nga goditjet e forta nga pjesa fundore e fushës. Tenistja çeke mori pikën në 9 nga 15 daljet e saj në rrjetë dhe e përfundoi takimin me 23 goditje fituese dhe 29 gabime. Ecurinë më të mirë në “Roland Garros” Petra Kvitova e ka regjistruar pra në vitin 2012, kur u mund në fazën gjysmëfinale 6-3, 6-3, pikërisht nga tenistja që fitoi në fund turneun e atij viti, Maria Sharapova. /SS/