Kuvendi i Kosovës, ka reaguar lidhur me ekspozitën e zhvilluar në Prishtinë, për masakrat në Kosovë, në të cilën janë shfaqur pasaktësi në të dhëna. Kuvendi, në reagim, thotë se ‘’ mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave’’, përcjell Gazeta Express.
Tutje, nga Kuvendi shtohet se, ‘’kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla’’, dhe se, shton Kuvendit, ‘’përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj’’.
‘’ Kjo është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk mund të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur’’, thuhet mes tjerash në reagim.
Reagimi i plotë i Kuvendit:
Sqarim për media
Në lidhje me reagimet e fundit për ekspozitën, theksojmë se Kuvendi, në përputhje me mandatin e tij dhe praktikat e zakonshme institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave.
Duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj.
Kjo është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk mund të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive mbetet obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, i cili kërkon trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm.
Sidoqoftë, në këtë rast, Kuvendi do t’i adresojë shqetesimet e ngritura tek organizatorët e ekspozitës.
Ndryshe, Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit kishte vizituar ditë më parë këtë ekspozitë. Aty, ajo kishte deklaruar se nuk është e lehtë të ecësh mes këtyre dëshmive, por është e domosdoshme për të kuptuar thellësinë e dhimbjes dhe padrejtësitë e përjetuara.
“Çdo panel rrëfen një krim të rëndë ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë, krime të kryera nga forcat serbe, dhe sjell para nesh një të vërtetë që nuk mund të fshihet apo të mohohet. Republika e Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë. Lavdi të rënëve për liri!”, kishte thënë Haxhiu, njoftonte parlamenti përmes një komunikate tre ditë më parë. /GazetaExpress