Kuvendi miraton një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare në vlerë prej miliona eurosh - Gazeta Express
string(81) "kuvendi-miraton-nje-sere-marreveshjesh-nderkombetare-ne-vlere-prej-miliona-eurosh"

Lajme

Gazeta Express

02/04/2026 15:02

Kuvendi miraton një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare në vlerë prej miliona eurosh

Lajme

Gazeta Express

02/04/2026 15:02

Ligjvënësit kosovarë i kanë ratifikuar të enjten një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare, të cilat kapin vlerën e miliona eurove.

Ratifikimi i tyre vjen pas vonesave të shkaktuara nga pezullimi i punës së Kuvendit gjatë marsit, si pasojë e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me një dekret të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë, i cili u rrëzua dhe ligjvënësit rifilluan punën.

Marrëveshjet e rëndësishme ndërkombëtare mund të miratohen vetëm me votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit me 120 vende.

Marrëveshjet e së enjtes u miratuan me votat e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe nga një pjesë e pakicave, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës e braktisën sallën paraprakisht, si shenjë pakënaqësie ndaj mosfutjes së një rezolute si pikë të parë të rendit të ditës.

Në mesin e marrëveshjeve që kaluan të enjten është edhe ajo për kredinë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në vlerë prej 33 milionë eurosh.

Marrëveshjet e ratifikuara:

  • Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.
  • Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018.
  • Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017.
  • Marrëveshja e kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale.
  • Marrëveshja e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike.
  • Marrëveshja e kredisë “Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.
  • Marrëveshja e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”.

Vlera e katër prej këtyre marrëveshjeve, duke përfshirë edhe atë me Bankën Evropiane për Investime, shkon në 121 milionë euro.

Banka Evropiane e Investimeve i kishte thënë Radios Evropa e Lirë në mars se ratifikimi i marrëveshjes “ishte i nevojshëm për ofrimin e financimit të propozuar”.

“Ratifikimi i marrëveshjes do t’i mundësonte Kosovës të ecë përpara me ndërtimin e njërit prej centraleve të saj më të mëdha fotovoltaike diellore, me një kapacitet deri në 100 megavatë. Projekti pritet të forcojë sigurinë energjetike të vendit duke rritur pjesën e energjisë së rinovueshme të prodhuar në vend dhe duke zvogëluar varësinë nga gjenerimi me bazë qymyri. Ai gjithashtu do të mbështeste qëllimet më të gjera të tranzicionit të gjelbër të Kosovës, pasi centrali pritet të gjenerojë rreth 169 gigavatë energji elektrike në vit dhe do t’i ulte ndjeshëm emetimet e dyoksidit të karbonit sapo të vihet në funksion”, thuhej në përgjigje.

E një zëdhënës nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i kishte thënë Radios Evropës së Lirë se çdo vonesë në ratifikimin e dy marrëveshjeve të kredisë do të “mund të çonte në vonesa në kontraktimin dhe zbatimin e punimeve”.

Marrëveshjet me BERZH-in kapin vlerën e 75 milionë eurove.

Ndërkohë, Kuvendi dështoi t’i ratifikojë katër marrëveshje të tjera ndërkombëtare pasi deputetët opozitarë nga Partia Demokratike e Kosovës nuk ishin aty, ndërsa deputetët e LDK-së nuk pranuan që ato të procedoheshin në mënyrë të përshpejtuar siç kërkuan deputetët e partisë në pushtet. /REL

Advertisement
Advertisement
Advertisement