Kuvendi i Kosovës sot tenton për të 35-ën herë të konstituohet - Gazeta Express
string(62) "kuvendi-i-kosoves-sot-tenton-per-te-35-en-here-te-konstituohet"

Lajme

Gazeta Express

21/06/2025 7:43

Kuvendi i Kosovës sot tenton për të 35-ën herë të konstituohet

Lajme

Gazeta Express

21/06/2025 7:43

Pas dështimeve të njëpasnjëshme, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet edhe sot në përpjekjen e 35-të për konstituim të legjislaturës së nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Seanca është caktuar të nisë nga ora 10:30.

Në seancën e para dy ditëve, mungoi kuorumi për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit që e propozoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari. Kjo ishte hera e 26-të që dështoi formimi i këtij komisioni përmes të cilit partia e parë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, synoi të zëvendësojë hedhjen në votim të kandidates së tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, meqë për disa seanca radhas s’arriti t’i merrte votat e nevojshme.

Partia Demokratike e Kosovës,  Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk propozuan nga një anëtar për formimin e këtij komisioni.

Edhe pas dështimit të 34-të partitë politike në prononcimet pas seancave nuk dhanë shenja se do të ketë ndryshim qëndrimesh.

Kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, tha se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dërguar për interpretim nga partitë tjera rreth ndryshimit të votimit nga i hapur në të fshehtë dhe akuzoi gjykatën se është vonuar.

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më 15 prill dhe që nga ajo datë çdo 48 orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur rezultat.

Ndërkohë, mungesa e Kuvendit e ka lënë Kosovën shtetin e vetëm në rajon pa marrë mjetet nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian.

Dje Serbia nga Komisioni Europian mori 51.7 milionë euro si kredi e butë, si pjesë e fazës së para-financimit të parashikuar nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, njoftoi Zyra e BE-së në Serbi.

Vendimi i KE-së për lëshimin e mjeteve të para erdhi pasi Kuvendi i Serbisë e ratifikoi marrëveshjen e instrumentit dhe marrëveshjen e kredisë në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes.

Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, sipas REL, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga kjo paketë.

Mbi 250 milionë do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme. Pjesa prej 7% që do t’i paguhej si para-financim, i bie të jetë rreth 61 milionë euro./Express/