Kuvendi i Kosovës ka shpenzuar 8.540.232 euro gjatë vitit 2024, një shumë pothuajse e barabartë me atë të vitit 2023, ku u shpenzuan 8.148.433 euro. Të dhënat janë siguruar nga KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, pasi raportet financiare ende nuk janë miratuar dhe publikuar zyrtarisht.
Përkundër faktit që gjatë vitit 2025 Kuvendi nuk ka qenë funksional për gjashtë muaj për shkak të fushatës zgjedhore dhe më pas bllokadës institucionale, shpenzimet për këtë periudhë arrijnë në 3.905.025 euro.
Paga, udhëtime dhe dreka zyrtare
Për pagat e 120 deputetëve janë shpenzuar 1.631.903 euro, ndërsa totali i shpenzimeve për ta, duke përfshirë udhëtimet, telefoninë dhe shpenzimet gjatë udhëtimeve, ka arritur në 1.685.407 euro.
Ndër shpenzimet tjera figurojnë:
Udhëtime jashtë vendit dhe akomodim: rreth 15.000 euro
Shpenzime telefonie: mbi 7.500 euro
Dreka zyrtare: 25.798 euro
Shpenzime për pasaporta diplomatike dhe delegacione: rreth 2.500 euro
Administrata, furnizime dhe mirëmbajtje
Administrata e Kuvendit ka kushtuar 1.557.630 euro, nga të cilat mbi 1 milion euro janë përdorur për paga.
Shpenzimet për mirëmbajtjen e ndërtesave dhe automjeteve, energjinë elektrike, ngrohjen dhe shërbime të ndryshme kalojnë vlerën e 117.000 eurove.
Kuvendi ka shpenzuar gjithashtu:
209.580 euro për blerjen e 6 veturave
13.908 euro për karburante
12.947 euro për pajisje IT
9.922 euro për furnizime për zyre
1.215 euro për ushqim dhe pije
Stafi politik dhe Komisioneri i FSK-së
Shpenzimet për stafin politik mbështetës kanë arritur në 649.387 euro, ndërsa Komisioneri parlamentar i FSK-së është paguar 12.599 euro për gjashtë muajt e parë të vitit.
Vendime gjyqësore
Gjatë viteve 2023 dhe 2024, Kuvendi ka paguar gjithsej 167.677 euro për vendime gjyqësore, ku vetëm gjatë vitit 2023 janë shpenzuar 159.632 euro për shtatë vendime të tilla.
Bllokada politike dhe vendimi i Kushtetueses
Pas përfundimit të mandatit të legjislaturës së tetë më 22 mars 2025, Kuvendi nuk ka arritur të funksionalizohet për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.
Edhe pse më 26 gusht, Dimal Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit, Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme më 5 shtator, duke konstatuar se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, përfshirë përfaqësuesin nga komuniteti serb.
Kjo masë mbetet në fuqi deri në publikimin e aktgjykimit të plotë, ndërkohë Kuvendit nuk i lejohet të ndërmarrë asnjë veprim për formimin e Qeverisë së re.