Kuvendi i Britanisë ia ndalon hyrjen ambasadorit të Kinës, ja arsyeja - Gazeta Express
string(68) "kuvendi-i-britanise-ia-ndalon-hyrjen-ambasadorit-te-kines-ja-arsyeja"

Lajme

Gazeta Express

15/09/2021 8:32

Kuvendi i Britanisë ia ndalon hyrjen ambasadorit të Kinës, ja arsyeja

Lajme

Gazeta Express

15/09/2021 8:32

Ambasadorit të Kinës në Mbretërinë e Bashkuar i është thënë se nuk mund të hyjë në Kuvend përderisa mbeten në fuqi sanksionet kundër disa deputetëve kinezë.

Zheng Zeguang pritej të merrte pjesë në një seancë të Dhomës së Ulët të mërkurën, por pas kundërshtimeve, kryetari i kësaj dhome, Sir Lindsay Hoyle, dhe kryetari i Dhomës së Lartë, Lord McFall, e përjashtuan këtë mundësi.

Lexo Edhe:

Ambasada e Kinës tha se ky është një vendim “i neveritshëm dhe frikacak” dhe se ai do t’i dëmtojë interesat e të dyja shteteve, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Një zëdhënës i ambasadës kineze tha: “Veprimi i neveritshëm dhe frikacak i individëve të caktuar të Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar për t’i penguar shkëmbimet normale dhe bashkëpunimin mes Kinës e Mbretërisë së Bashkuar për përfitime personale politike është kundër vullnetit dhe i dëmshëm për interesin e popujve të të dyja vendeve.”

Ndalimi i hyrjes së ambasadorit kinez në Kuvend ndodhi në kohën kur tensionet mes dy qeverive janë të larta. Në mars, Kina u vendosi sanksione pesë deputetëve britanikë, të cilët i akuzoi për përhapje të gënjeshtrave rreth atij shteti.

Kjo ishte hakmarrje e Kinës ndaj vendimit të Britanisë së Madhe për të vendosur sanksione kundër zyrtarëve kinezë për abuzim të të drejtave të njeriut në rajonin Xinjiang.