Kuvendi gjatë fushatës zgjedhore do të mbajë vetëm dy seanca - Gazeta Express
string(60) "kuvendi-gjate-fushates-zgjedhore-do-te-mbaje-vetem-dy-seanca"

Maqedoni

Gazeta Express

25/08/2025 16:03

Kuvendi gjatë fushatës zgjedhore do të mbajë vetëm dy seanca

Maqedoni

Gazeta Express

25/08/2025 16:03

Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, gjatë takimit të sotëm joformal me gazetarët njoftoi se ka propozuar një deklaratë për zgjedhjet lokale të tetorit, e cila duhet të votohet në seancën e fundit plenare para zgjedhjeve. Sipas Gashit, deklarata e cila ka parime të përgjithshme, është në drejtim të zotimit nga ana e deputetëve se do të respektojnë rregullat zgjedhore, ligjet dhe nuk do ta keqpërdorin kuvendin për nevoja apo qëllime partiake. Propozimi është dorëzuar te deputetët, ndërsa në ditët në vazhdim duhet që të dakordohet teksti final mes partive dhe më pas të miratohet.

Gjatë takimit të sotëm të koordinatorëve të grupeve parlamentare, Gashi njoftoi se është rënë dakord që gjatë periudhës së zgjedhjes, Kuvendi të mos funksionojë me qëllim që të parandalohet keqpërdorimi i foltores kuvendore dhe përfshirjes së institucionit ligjvënës në fushatë. Për këtë, janë caktuar 2 seanca të cilat do të mbahen më 2 dhe 12 shtator, në të cilat do të duhet që të miratohen ligjet e caktuara, ndërsa të tjerat do të mbeten pas zgjedhjeve.

Padyshim se një ndër çështjet më të nxehta është ai i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, të cilat dështuan të miratohen në seancën e 16 gushtit për shkak të mungesës së shumicës së badinterit. Gashi, theksoi se në mbledhje asnjëri prej koordinatorëve nuk ka paralajmëruar iniciativë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe kjo do të thotë se sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë ndryshime.

Për shkak të mungesës së shumicës së badinterit ka edhe një sërë ligjesh tjera të cilat janë bllokuar, megjithatë Kuvendi nuk ka evidencë se sa është numri i tyre i përgjithshëm.

Mes tyre është Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, i cili paralajmëronte edhe referendum për kryetarët e komunave, megjithatë sipas të gjitha gjasave edhe ky ligj nuk do të votohet deri në zgjedhje. Nëse ligji votohet pas zgjedhjeve lokale, kjo nënkupton se ndryshimet nuk do të vlejnë për kryetarët e rinj të cilët do të shërbejnë në mandatin 2025-2029, por për pasardhësit e tyre.

Mungesa e badinteri ka bllokuar edhe zgjedhjen Avokatit të ri të Popullit, pasi që opozita shqiptare nuk e pranon propozimin e shumicës parlamentare që Faton Selami të jetë pasardhës i të pensionuarit Naser Ziberi. Kryetari Gashi thekson që duhet patjetër të gjendet një zgjidhje dhe shprehë mendimin se nuk duhet të fokusohet zgjedhja te një emër, por të ketë konsensus.

Pas zgjedhjeve ka mbetur edhe zgjedhja e kryetarit të Antikorrupsionit, pasi Tatjana Dimitrovska dha dorëheqje, për shkak të akuzës për dhënie të sekreteve zyrtare dhe falsifikim kompjuterik.

Shumica parlamentare, pritet që këto ditë të dorëzojë në Kuvend edhe ligjin e ri për lojërat e fatit, megjithatë nuk dihet nëse do të miratohet deri më 12 shtator, kur do të jetë seanca e fundit plenare deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 19 tetorit./Alsat.mk