Kuvendi dixhitalizohet me pajisje vetëm në gjuhën maqedonase, ku mbeti gjuha shqipe? - Gazeta Express
string(82) "kuvendi-dixhitalizohet-me-pajisje-vetem-ne-gjuhen-maqedonase-ku-mbeti-gjuha-shqipe"

Kuvendi dixhitalizohet me pajisje vetëm në gjuhën maqedonase, ku mbeti gjuha shqipe?

Ballina

Gazeta Express

26/05/2022 11:16

Kuvendi i RMV-së për dy mandate udhëhiqet nga Talat Xhaferi, i cili nga opozita maqedonase ende quhet si “spiker” dhe jo kryetar Kuvendi. Xhaferi njihet për skena të ndryshme me të cilat është përballur gjatë menaxhimit me këtë pozitë.

Por, së fundmi ka informuar për pajisjet e instaluara me të cilat puna e Kuvendit në tërësi dixhitalizohet. Ajo që bie në sy nga fotografitë e publikuar gjatë njoftimit për këtë instalim, janë pamjet e pajisjeve dixhitale dhe shkresat në to vetëm në gjuhën maqedonase. Dixhitalizimi i Kuvendit vetëm në gjuhën maqedonase, ndërkaq nga po i njëjti vend para tre viteve po i njëjti kryetar parlamenti ka hapur seancën në gjuhën shqipe. Tani është ose nuk është gjuha shqipe zyrtare?. Nëse është duhet zbatuar sidomos në organin legjislativ ku aty ku sillen ligjet e nuk respektohen çfarë pritet prej institucioneve tjera, shkruan Zhurnal.

Lexo Edhe:

Gjuha shqipe është bërë gjuha më e përfolur për zbatim por jo edhe e zbatuar në të folur në Maqedoninë e Veriut. Për zyrtarizmin e gjuhës shqipe në vend është festuar shumë herë, madje ka pasur edhe urata të shumta nga liderët shqiptarë të rajonit për këtë arritje të madhe të shqiptarëve në MV, pa çka se gjuha është e drejtë elementare. Më 15 janar të vitit 2019 u bë më në fund zyratarizimi i përdorimit të gjuhës shqipe me një ligj të veçantë, që gjuha të cilën e flasin më shumë se 20% të popullatës është gjuhë e dytë zyrtare në vend.

Por tani në vendin ku u zyrtarizua gjuha shqipe në Kuvend nuk po zbatohet ky ligj, sepse në instalimin e fundit në Kuvend të pajisjeve dixhitale shihet se këta pajisje kuptojnë vetëm gjuhën maqedonase dhe nuk funksionojnë dot në gjuhën shqipe, ani çka se në Kuvend ka 33 deputet shqiptarë. Çështja është se pajisjet nuk funksionojnë në shqip apo këta deputet shqiptarë nuk e kanë fare problem që mungon gjuha shqipe. Fundja këta janë për kauza më të mëdha, jo edhe për gjuhën shqipe në pajisjet dixhitale në Kuvend.

Mësimi për të luftuar për të tënden e për të përfaqësuar popullin tënd, për të kërkuar atë që i takon më së miri duhet të merret nga Bullgaria që nuk heq dot dorë nga rezistenca e vendosja e kushteve që bullgarët në Maqedoninë e Veriut të përfaqësohen denjësisht.

Megjithatë, gojën plotë krenari e mburrje për sigurimin e një drejte elementare në mënyrë të cunguar që askund nuk figuron “zyrtarizim i gjuhës shqipe”, por vetëm me përqindje, dhe sërish kur bëhet ndonjë ndryshim gjuha shqipe mbetet pas dere. Sikurse të kishin qenë pajisje të vjetruara ishte dashur të ndërrohen me pajisje të sofistikuara që të jenë në dy gjuhë. Por këta sjellin pajisje të reja me sistem të vjetruar sikurse kokat e disa deputeteve maqedonas nacionalist që e shohin rrezik për vendin përdorimin e gjuhës shqipe.

Pajisjet dixhitale në njërën anë kursejnë letra në anën tjetër dëshmojnë që ai zyrtarizimi famshëm ka ngelur ende vetëm në letër. Pajisjet e reja moderne të konferencave në sallën plenare ofrojnë një parim funksionimi plotësisht të kompjuterizuar dhe dixhital, përkatësisht punë pa letra, menaxhim të porosisë së folësit, transmetim të avancuar të videove, arkiv video me kërkim, raport votimi për çdo pikë të rendit të ditës

Instalimi i pajisjeve dixhitale u realizua në dhjetor 2021, ndërsa rregullimi dhe përshtatja e dedikuar e sallës në periudhën janar-prill 2022. Prodhuesi i pajisjeve është kompania gjermane “Breler ICS Konferenctehnik”, dhe vlera e investimit është 520 mijë euro.

Kujtojmë se, ligji për gjuhët parasheh përdorimin e plotë të gjuhës shqipe si në të shkruar ashtu edhe në folur si në Qeveri, Kuvend, organet e pushtetit gjyqësor, administratën publike si dhe ndërmarrje e institucione tjera. Me këtë ligj drejtuesit e seancave, qoftë të Qeverisë apo Kuvendit, nëse janë shqiptarë, ato do të mund t’i udhëheqin në gjuhën e tyre, ndërsa të gjitha aktet botohen edhe në gjuhën shqipe. Mbishkrimet në nivel qendror do të jenë në dy gjuhë. Gjithashtu me këtë ligj parashihet që uniformat e policisë, të zjarrfikësve dhe të punonjësve shëndetësorë të jenë edhe në gjuhën shqipe në Shkup dhe komunat, ku mbi 20 për qind e popullatës janë shqiptare.

Për zbatimin e ligjit për gjuhët janë përgjegjëse Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektoriati për Përdorimin e Gjuhëve. Për moszbatim të ligjit janë paraparë edhe gjoba për institucionet nga 4 deri në 5 mijë euro.

Mes tjerash tani në dixhitalizimin e Kuvendit gjuha shqipe ende nuk është futur në këto pajisje, sot për herë të parë do të mbahet seanca e parë në sallën 1 të Kuvendit aty ku edhe janë të vendosura pajisjet. Mbase edhe mund të jetë çështje teknike por asesi të anashkalohet, pasi gjërat e vogla sjellin pasoja të mëdha, gjithkund e për gjithçka që e parasheh ligji për zbatimin e gjuhëve, duhet të zbatohet e praktikohet edhe gjuha shqipe. Nuk duhet asesi të hiqet dorë nga diçka që është e drejtë e garantuar me ligj.

Sipas disa akademikëve dhe ish politikaneve maqedonas ,”gjuha shqipe është e rrezikshme”, është interesante se pikërisht gjuha me të cilën flitet se gjuha shqipe është e rrezikshme, është e rrezikshme. Pra, në gjuhë maqedonase thuhet se gjuha shqipe paraqet rrezik, harrojnë që gjuha maqedonase po bllokon edhe procesin euro-integrues të vendit, duke qenë pjesë e diskutimit në tavolinë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

I atillë që gjuhën shqipe e sheh si të rrezikshme, është ish kryetari Kuvendit në RMV, Tito Petkovski, i cili pati thënë se zyrtarizimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në gjithë Maqedoninë e Veriut, mund të jetë gjë e rrezikshme.

Megjithatë, se gjuha shqipe nuk është e rrezikshme e dëshmon fakti se deri më tani në asnjë proces gjeo-strategjik të vendit nuk ka qenë pengesë. Pra, nuk i pengon askujt sepse nuk është e askujt tjetër përpos e shqiptarëve dhe rrënjët e gjuhës shqipe janë të shqiptarëve. /Zhurnal.mk