Shkruan: Nur Çeku
Moskonstituimi i Legjislaturës së IX të Kuvendit po cenon rendin kushtetues të Kosovës. Mbajtja e seancës konstituive në 54 vazhdime dhe dështimi i tyre tregojnë qartë se qëllimi i subjekteve parlamentare nuk ishte konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë, por mbajtja peng e situatës për përfitime partiake. Vendimi paraprak i Gjykatës Kushtetuese (Rasti nr. KO124/25) për detyrimin e konstituimit të Kuvendit brenda afatit 30 ditor nuk u mor parasysh, dhe në vend që të zbatohej pati interpretime të ndryshme të paragrafëve të tij.
Duke arsyetuar veprimet bllokuese, përfaqësuesit e subjekteve politike në shumë raste i referohen përmbajtjes së Kushtetutës duke theksuar se ajo nuk është e qartë, apo nuk e ka përcaktuar mënyrën e veprimit në situata të caktuara. Por Kushtetuta nuk është udhëzim administrativ që të përcaktojë në detaje secilin veprim, sepse atëherë nuk do të ishte Kushtetutë. Dispozitat, parimet, standardet, vlerat kushtetuese, jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe praktika institucionale janë qartësisht të mjaftueshme për themelimin e Kuvendit.
Por në mungesë të bashkëpunimit dhe ushtrimit të mandatit në interes të qytetarëve, deputetët dështuan ta themelojnë Kuvendin dhe serish çështja u bart tek Gjykata Kushtetuese, e cila më 8 gusht pritet të dalë me vendim lidhur me konstituimin e Kuvendit. Në pritje të vendimit ka interpretime të ndryshme lidhur me përmbajtjen e tij, të cilat mund të përmblidhen si vijon:1) Gjykata Kushtetuese nuk mund t’ua marrë mandatin deputetëve e as ta dërgojë vendin në zgjedhje: 2)Afati 30 ditor i përcaktuar në vendimin paraprak të Gjykatës Kushtetuese nuk është ezauruar sepse partia fituese nuk e ka propozuar emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, por është votuar vetëm për komisionin e votimit, prandaj procedura duhet të kthehet para afatit 30 ditor; 3) Gjykata mund t’ua marrë mandatin në mënyrë progresive deputetëve që nuk votojnë; dhe 4) Gjykata, pavarësisht vendimit të saj, nuk mund të ndikojë që të tejkalohet kjo situatë bllokuese.
Nëse analizohet praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese lidhur me themelimin e institucioneve, mund të thuhet se vendimi i ardhshëm i Gjykatës mund edhe të befasojë me zgjidhjet e dhëna. Vendimi lidhur me legjitimitetin e Qeverisë Hoti, për shkak të votës së një deputeti me mandat jovalid, është dëshmi për këtë. Gjykata Kushtetuese në trajtimin e një rasti nuk i referohet vetëm normës kushtetuese, por merr për bazë faktorë të shumtë strukturorë dhe praktikat ndërkombëtare. Në raste të ndërlikuara ajo zhvillon edhe testin kushtetues të neneve të caktuara të Kushtetutës për t’iu përgjigjur pyetjeve të veçanta.
Sidoqoftë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë i qartë, i guximshëm dhe i lidhur ngushtë me përgjegjësinë që kanë dhe vazhdojnë të refuzojnë ta marrin deputetët për konstituimin e legjislaturës së IX të Kuvendit. Përgjegjësia e deputetëve duhet trajtuar seriozisht, pasi ata nuk e kanë zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të konstituar Kuvendin brenda afatit 30-ditor. Kjo përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës, konkretisht nenit 116, i cili përcakton se vendimet e Gjykatës janë përfundimtare dhe detyruese.
Po ashtu, nuk ka logjikë që afati 30 ditor të konsiderohet i pa konsumuar, sepse grupi më i madh parlamentar nuk ka propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit, pasi Kryesuesi ka insistuar në votimin e komisionit votues. Gjykata Kushtetuese në rastin KO124/25 ka trajtuar edhe këtë çështje duke përcaktuar se për mënyrën e votimit duhet të ketë bashkëpunim dhe mirëbesim mes deputetëve. Afati 30 ditor i caktuar nga Gjykata Kushtetuese nuk ka qenë i kushtëzuar që të zbatohet nga ndonjë veprim paraprak. Konstituimi i Kuvendit cilësohet si akt kushtetues dhe dështimi i seancës konstituive në 54 vazhdime nuk është më sjellje politike, por abuzim me mandatin e deputetit. Prandaj përgjegjësia e tyre, përfshirë edhe djegien e mandateve, nuk duhet të cilësohet si ndëshkim, por si pasojë logjike e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe bllokimit të institucioneve.
Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet mundësia që Gjykata Kushtetuese të ndërmarrë një hap më të guximshëm, duke krijuar një rregull të ri, një precedent, sipas të cilit e drejta për propozimin e Kryetarit të Kuvendit, në rrethana të veçanta, t’i takojë jo vetëm partisë fituese. Kjo nuk është e përcaktuar tekstualisht në Kushtetutë, por del si nevojë nga interpretimi teleologjik dhe funksional i saj, për të mos lejuar që sistemi të bllokohet. Një zgjidhje e tillë Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar në praktikën e saj, edhe në rastin e zgjedhjes së qeverisë, kur kishte konstatuar se nuk përjashtohet mundësia që partia fituese (relative apo absolute) refuzon të propozojë kandidatin për Kryeministër. Një precedent i tillë mbron demokracinë dhe funksionalitetin e shtetit, dhe bën disiplinimin kushtetues të përfaqësuesve të popullit. Fundja, edhe përcaktimi i dhënë në rastin KO124/25 (parag. 139) se seanca konstituive e Kuvendit duhet të përmbyllet me sukses brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, dhe jo të merret vetëm si datë e fillimit të seancës konstituive, është precedent.
Në këtë kontekst duhet referuar edhe kërkesa e parashtruar në Gjykatën Kushtetuese nga Presidentja e Kosovës lidhur me konfliktin mes kompetencave kushtetuese. Mes tjerash, kjo kërkesë ngrit disa pyetje legjitime lidhur me pasojat pas kalimit të afatit 30 ditor. Por vlerësojmë se mes pyetjeve do të duhej të përfshihej edhe papajtueshmëria e funksionit (konflikti i interesit) të deputetëve nën betim dhe të cilët në të njëjtën kohë janë edhe anëtarë të Qeverisë në detyrë. Mund të ndodhë që vendimet eventuale për konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë, me votimin e këtyre si më sipër, të sfidohen në Gjykatën Kushtetuese dhe kështu të vazhdojë ky rreth vicioz pafundësisht.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që pritet të publikohet më 8 gusht nuk ka vend për neutralitet, pasi rendi kushtetues është në kolaps. Gjykata Kushtetuese duhet të veprojë si mbrojtëse e Kushtetutës, jo si spektatore e krizës politike. Ky vendim nuk duhet të jetë një çështje procedurale, por një prej vendimeve më të rëndësishëm për rendin kushtetues që nga shpallja e pavarësisë. Gjykata ka të drejtë dhe detyrim kushtetues që të veprojë në përputhje me frymën e Kushtetutës dhe me interesin publik, duke mos u fshehur pas afateve formale apo teknikalitetit të parashtrimit të pyetjeve apo kërkesave. Vendimi meritor, gjithëpërfshirës dhe sqarues për të gjitha detajet dhe procedurat, do të gjejë zbatim tek ata që e mendojnë Kushtetutën si udhëzim administrativ.
@Autori është doktor shkence në fushën e të drejtës kushtetuese dhe ekspert i sundimit të ligjit.