Kushtetuesja thirrje për konstituim, rikujton se vendimet e saj janë të detyrueshme, topi përsëri te deputetët – a do të ketë zhbllokim - Gazeta Express
string(131) "kushtetuesja-thirrje-per-konstituim-rikujton-se-vendimet-e-saj-jane-te-detyrueshme-topi-perseri-te-deputetet-a-do-te-kete-zhbllokim"

Lajme

Gazeta Express

08/10/2025 17:56

Kushtetuesja thirrje për konstituim, rikujton se vendimet e saj janë të detyrueshme, topi përsëri te deputetët – a do të ketë zhbllokim

Lajme

Gazeta Express

08/10/2025 17:56

Nëntë ditë pas njoftimit, Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë të shumëpritur, për bllokadën e krijuar në Kuvend. Përderisa në njoftim ajo urdhëroi për procedim tutje në pak rreshta, në vendimin e plotë ajo dha edhe shpjegimet e saja. Kuvendi nuk është i konstituar pa zgjedhjen e nënkryetarit serb; ky i fundit nga propozohet nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb; deputetët duhet të gjithë të votojnë; dhe, kuvendi tashmë i ka 12 ditë afat për konstituim. Këto ishin vendimet e gjykatës që u nxorën nga vendimi i plotë, shkruan Gazeta Express.

Përgjatë aktgjykimit të saj, Kushtetuesja përveç shpjegimeve që dha, bëri edhe thirrje që kompletimi i parlamentit tashmë të përfundohet.

Përderisa partitë prisnin ndoshta ndonjë vendim që e paraqet njërën apo tjetrën mirë apo keq, Kushtetuesja, zgjidhjen e çështjes e vendosi tek bashkëpunimi.

Kësisoj, në pikën 155, ku ajo bëri thirrje për deputetët që të votojnë, Kushtetuesja theksoi edhe se, kjo duhet bërë në frymën e detyrimit për bashkëpunim konstruktiv, gjë e cila rrjedh nga vetë neni 67 i Kushtetutës së vendit.

‘‘155. Në këtë drejtim, Gjykata thekson se deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe votojnë për, kundër apo të abstenojnë për zgjedhjen e nënkryetarit të komunitetit Serb, në frymën e detyrimit për bashkëpunim konstruktiv në mirëbesim, i cili buron nga vetë neni 67 i Kushtetutës, dhe i cili ndërlidhet ngushtë edhe me (i) detyrimin e përcaktuar në nenin 74 të Kushtetutës, sipas të cilit deputetët e Kuvendit ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit, dhe (ii) duke pasur parasysh obligimin e përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 58 të Kushtetutës që Republika e Kosovës, siguron, në baza jodiskriminuese, që të gjitha komunitetet dhe pjesëtarët e tyre të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre, të specifikuara me këtë Kushtetutë. Njëkohësisht, një detyrim i tillë vlen edhe për grupet tjera parlamentare të cilët në frymën e bashkëpunimit dhe konsultimeve konstruktive propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit, të cilët bazuar në paragrafët 3 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës, po ashtu zgjedhen me shumicën votave të të gjithë deputetëve (shih, Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO124/25, cituar më lart, paragrafi 130),’’, u tha në vendim.

Në pikën pasuese, Kushtetuesja hodhi poshtë të gjitha qëndrimet e pushtetit që deklaronin se Kuvendi është konstituar, pasi që, siç potencoi gjykata, kryesia është e paplotë dhe jokushtetuese pa nënkryetarin serb.

‘‘156. Ashtu siç u theksua më lart, përfaqësimi i komuniteteve që nuk janë shumicë në Kuvend përfshirë edhe në Kryesinë e Kuvendit është detyrim kushtetues. Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë nënkryetarin nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, Kryesia e saj do të ishte e paplotë dhe jokushtetuese. Në këtë kontekst, zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti Serb si anëtar i domosdoshëm i Kryesisë së Kuvendit, është parakusht për konstituimin e Kuvendit’’, u shtua në vendim.

Më tej, u potencua edhe se, Kushtetuta është burim i autoritetit të çdo pushtetit qeverisës, kjo, në shërbim të ruajtjes së rendit kushtetues që bazohet në parimet e demokracisë.

‘‘157. Ashtu siç është theksuar edhe përmes praktikës së saj gjyqësore, në kuptim të funksionimit efektiv të institucioneve shtetërore, Gjykata në vazhdimësi ka ritheksuar që në shërbim të ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës që bazohet në parimet e demokracisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, pluralizmit dhe ndarjes së pushtetit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës është burim i autoritetit të çdo pushteti qeverisës dhe ajo përcakton kufijtë e ushtrimit të këtij autoriteti (shih, Aktgjykimet e Gjykatës, në rastin KO124/25, paragrafi 103 dhe në rastet KO193/25 dhe KO196/25, paragrafi 130)’’, i tha më tej.

Kushtetuesja përsëriti thirrjen e saj që deputetët duhet të ndjekin frymën e mirëbesimit dhe bashkëpunimit për të përmbushur me sukses detyrimet që ata kanë, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të seancës.

‘‘158. Në kuptim të përfundimit të Seancës Konstituive, Gjykata rithekson rëndësinë e vazhdimit të kësaj seance dhe përfundimit të saj me konstituimin e Kuvendit në përputhje me parimet dhe vlerat kushtetuese të përcaktuara si në Kushtetutë. Për këtë arsye, Gjykata fton deputetët e zgjedhur të Kuvendit që të ndjekin frymën e mirëbesimit dhe bashkëpunimit konstruktiv në mënyrë që të përmbushin me sukses detyrimin e tyre kushtetues për përfundimin e Seancës Konstituive, duke zgjedhur anëtarin e pestë të Kryesisë së Kuvendit, respektivisht, nënkryetarin e Kuvendit nga komuniteti Serb (shih, mutatis mutandis Aktgjykimin e Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, cituar më lart, paragrafi 135)’’, u shtua në vendim.

Po ashtu, nga Gjykata u qartësua se struktura e normave kushtetuese duhet të interpretohet në atë mënyrë që të jetësojë dhe jo bllokojë themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve të tyre.

‘‘159. Në këtë kontekst, Gjykata rithekson që struktura e normave kushtetuese, dhe posaçërisht ajo që ndërlidhet me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e popullit, duhet të interpretohet në atë mënyrë që të jetësojë dhe jo bllokojë themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve të tyre. Kësisoj, të gjitha veprimet që ndërmerren nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit në rastin e përmbushjes së pikës IV të rendit të ditës së Seancës Konstituive, duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për shtetin, duke mundësuar që ai të zhvillohet dhe të jetësojë vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar (shih, Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO124/25, cituar më lart, paragrafi 188)’’, deklarohet më tej.

Pos këtyre, Kushtetuesja pohoi se funksionimi i institucioneve është përgjegjësi e secilit person i cili është i veshur me autorizime publike, dhe se, çdo pengesë ose mungesë bashkëpunimi në përmbushjen e detyrimeve dhe autorizimeve kushtetuese, është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës.

‘’160. Gjykata përsërit që përderisa funksionimi demokratik i institucioneve shtetërore është përgjegjësi parësore e secilit person i cili është i mveshur me autorizime publike, të gjitha veprimet që ndërmerren nga personat e mveshur me fuqi ose autorizim publik duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për shtetin, duke mundësuar që ai të zhvillohet dhe të jetësojë vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar. Sipas Gjykatës çdo pengesë ose mungesë bashkëpunimi në përmbushjen e detyrimeve dhe autorizimeve kushtetuese, është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës (shih, rastin e Gjykatës KO72/20, parashtrues Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i 30 prillit 2020, paragrafët 476-478 dhe KO193/25 dhe KO196/25, cituar më lart, paragrafi 107)’’, u vijua më tej.

Në pikat e fundi, Kushtetuesja theksoi se vendimet e saj, janë të detyrueshme për të gjithë, dhe se ato duhet të respektohen po ashtu nga të gjithë. Për këtë, ditëve të fundit ka pasur thirrje edhe nga ambasadorë të shteteve aleate të Kosovës.

‘‘161. Gjykata, nënvizon, që bazuar në paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, vendimet e saj janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Në ndërlidhje me këtë, rregulli 60 (Zbatimi i vendimeve) i Rregullores së Punës të Gjykatës gjithashtu përcakton që: (i) të gjitha organet kushtetuese, përfshirë gjykatat e autoritetet tjera, janë të obliguara të respektojnë dhe të zbatojnë vendimet e Gjykatës, brenda kompetencave te tyre të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj; dhe (ii) të gjithë personat fizikë dhe juridikë janë të obliguar të respektojnë vendimet e Gjykatës dhe t’u përmbahen atyre (shih, po ashtu Aktgjykimin e Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, cituar më lart, paragrafi 106)’’, u tha aty.

Në fund, nga Gjykata u tha se në ‘’mënyrë shteruese’’ ka intepreetuar dispozitat kushtetuese sa i përket procesit të konstituimit të Kuvendit.

‘‘162. Në fund, Gjykata konsideron se në përputhje me rolin e saj kushtetues si autoritet përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, e vënë në lëvizje përmes kërkesave të parashtruara në Gjykatë nga palët e autorizuara, në mënyrë shteruese ka interpretuar dispozitat kushtetuese sa i përket procesit të konstituimit të Kuvendit, të zhvilluar përmes Seancës Konstituive të tij të filluar më 15 prill 2025. Rrjedhimisht, Gjykata rithekson se Seanca Konstituive e Kuvendit, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 66 të Kushtetutës është një akt kushtetues që duhet të realizohet përmes përmbushjes të të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë në këtë rast edhe zgjedhjen e nënkryetarit/es nga radhët e komunitetit Serb, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 4 të nenit 67 të Kushtetutës dhe çdo interpretim ndryshe do të relativizonte rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe do të nënkuptonte tolerim të bllokimit institucional, në kundërshtim me natyrën funksionale të një demokracie të udhëhequr nga parimet e demokracisë dhe të sundimit të ligjit’’, përfundohet në aktgjykimin e plotë të Kushtetueses.

Përndryshe, afati prej 12 ditësh tashmë ka filluar të rrjedhë, meqë vendimi i plotë është publikuar. Kësisoj, deputetët e kuvendit mund të rifillojnë seancat konstituive. Megjithatë, deri në këto momente, një seancë e tillë ende s’është thirrur. /GazetaExpress