Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se ka pranuar përmes email’it ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka kërkuar të pezullojë afatet kushtetuese përkohësisht lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, pak minuta para afatit për emërimin e tij.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, mbrëmë tha se i ka kërkuar Kushtetueses “që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit”.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Gjykata Kushtetuese tha se ka pranuar këtë kërkesë dhe thirrjes së zyrtarëve të Vetëvendosjes për trajtim më urgjent të kësaj kërkese, Kushtetuesja tha se vendimi do të merret pas të shqyrtojnë kërkesën në përputhje me Kushtetutën.
“Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe vendosjen e masës së përkohshme, është parashtruar në mënyrë elektronike, më 5 mars 2026. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Përveç Haxhiut, për këtë kërkesë mbrëmë foli edhe shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, e cila tha se gjykatës do t’i kërkojnë edhe masa kundër deputetëve të opozitës, të cilët nuk morën pjesë në seancë dhe kështu pamundësuan votimin për president.
“Presim dhe bëjmë thirrje që të shqyrtohet me prioritet kjo kërkesë e jona, sepse besojmë se deputetët që nuk morën pjesë në seancë kanë shkelur Kushtetutën”, tha Nagavci.
Sot në mëngjes presidentja Vjosa Osmani nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit pasi dje dështoi të zgjidhej presidenti i ri sipas afatit kushtetues./Express/