Tri ditë para përfundimit të masës së përkohshme, Gjykata Kushtetuese është ende duke shqyrtuar kërkesat në lidhje me konstituimin e Kuvendit. Në institucionin më të lartë juridik në vend thonë se para publikimit të aktgjykimit do të trajtojnë të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të ngritura në kërkesat e parashtruara, raporton KosovaPress.
Derisa Kushtetueses i kërkohet të jetë e qartë dhe precize në aktgjykimin e ri për të shmangur çdo lloj dykuptimësie, njohësit e sistemit juridik japin skenarët mbi vendimmarrjen e mundshme të Kushtetueses për zgjidhjen e ngërçit në Kuvend.
Kosova nuk ka arritur të themelojë institucionet e reja, pavarësisht se zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për mbajtjen e seancës konstituive, duke ua ndaluar deputetëve të marrin vendime apo të ndërmarrin veprime nga data 27 korrik deri më 8 gusht, kur do të shpallet aktgjykimi i plotë mbi ngërçin në Kuvend.
Kjo masë është vendosur sipas detyrës zyrtare, ani pse nuk ishte kërkuar në kërkesën e parashtruar nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së, të cilët kanë kontestuar kushtetutshmërinë e mbajtjes së seancës konstituive pas datës 26 qershor, kur është publikuar aktgjykimi i parë i Kushtetueses.
Përkundër që Kushtetuesja kishte obliguar deputetët të konstituojnë legjislaturën e nëntë në afat tridhjetëditor, deri më 26 korrik një gjë e tillë nuk kishte ndodhur. Për të adresuar pasojën juridike në këtë rast, Kushtetueses i është drejtuar edhe presidentja, Vjosa Osmani.
Zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, në një përgjigje për KosovaPress thotë se për vendimmarrjen e këtij institucioni, përkitazi me këto kërkesa do të njoftohen me kohë të gjitha palët dhe opinioni publik.
“Kërkesat e fundit përkitazi me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë në procedurë të shqyrtimit nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që Gjykata të trajtojë të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të ngritura në kërkesat e parashtruara. Për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e tij.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, thotë për KosovaPress se Gjykata Kushtetuese fillimisht duhet të konstatojë nëse procedura e zhvilluar në seancën konstituive pas datës 26 qershor ka qenë në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Sipas tij, nëse konstatohet se insistimi i kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për votim të fshehtë në zgjedhjen e kryeparlamentarit është antikushtetues, atëherë një prej mundësive është që të theksohet se afati tridhjetëditor nuk është konsumuar dhe të kthehet në pikën zero, në momentin e votimit të hapur për kryeparlamentarin.
“Duhet të konstatohet nëse procedura e zhvilluar nga data 26 qershor, në momentin kur është publikuar aktgjykimi, nëse kryesuesi i seancës e ka administruar procedurën e konstituimit sipas rendit të ditës, rregullores, Kushtetutës dhe vetë aktgjykimit të Kushtetueses. Aktgjykimi thekson se duhet të vazhdohet procedura sipas praktikave të mëhershme parlamentare dhe rrjedhimisht ka nënkuptuar se duhet të jetë votim i hapur. Nëse gjykata konstaton se këto seanca nga momenti i publikimit të aktgjykimit kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën atëherë do t’i anulojë të gjitha efektet që janë prodhuar nga këto seanca dhe mund të vendosë që afati nuk është konsumuar. Është e logjikshme që mund të kthehet në pikën zero”, thotë Bugaqku.Krahas kësaj, ai thotë se një prej skenarëve mund të jetë që Kushtetuesja të nxjerrë vendim se e drejta e partisë së parë në zgjedhje për propozim të kryetarit të Kuvendit nuk është absolute, e përhershme dhe pa kufizime, por të vendosë kritere sesi duhet të konsumohet dhe përmbushet, në mënyrë që mos të bllokohet konstituimi i Kuvendit.
Mbi bazën e këtyre parametrave, Bugaqku thekson se e drejta e propozimit për kryetar të Kuvendit mund t’i kalohet grupeve të tjera parlamentare që të gjejnë një kandidaturë që siguron 61 vota.
Megjithatë, në vitin 2014, përmes një aktgjykimi, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se partia e parë në zgjedhjet parlamentare gëzon të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit.
Në anën tjetër, politologu, Artan Muhaxhiri, thotë për KosovaPress se Gjykata Kushtetuese e ka obligim jetik që të ofrojë në aktgjykim të saktë dhe preciz, duke mos lënë asnjë hapësirë për keqinterpretime dhe deformim të vendimit të saj, sikurse në aktgjykimin e parë të 26 qershorit.
Sipas tij, në aktgjykimin e fundit të Kushtetueses janë thënë gjëra të përgjithësuara dhe në mënyrë euforike duke munguar qartësia.
“Gjykata Kushtetuese e ka obligim jetik që të ofrojë një përgjigje të saktë, një përgjigje precize dhe mos të lejë asnjë hapësirë për keqinterpretime dhe deformime të vendimit të saj. Çdo gjë tjetër vetëm sa do ta rrisë dhe vazhdojë agoninë dhe këtë bllokadë. Çdo vendim që do ta japë gjykata Kushtetuese duhet të jetë qartësues. Nuk guxon në asnjë skenar të përsëritet ajo që ishte në herën e fundit, ku thuhen gjëra në mënyrë metaforike, por të mungojë preciziteti. Kësaj radhe, situata është më serioze dhe Gjykata Kushtetuese është e vetmja instancë që mund të zhbllokojë situatën”, thekson Muhaxhiri.Deputetët, prej kur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, kanë dështuar plot 54 herë të zgjedhin trupat e legjislativit.
Procesi ka ngecur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, për të cilin LVV, në koalicion me Guxo dhe Alternativën, ka propozuar deputeten Albulena Haxhiu. Mirëpo, e njëjta, në gjashtë votime të hapura, nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë post, ndërkaq në 48 tentime nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje për formimin e komisionit verifikues për votim të fshehtë të kryeparlamentarit.
Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, hapi vendndodhjen e saj të sapo ndërtuar në...