Sot nga ora 10:00 do të vazhdojë seanca për konstituimin e kuvendit të Kosovës.
Në rend dite është zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.
Kjo seancë është thirrur pas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese që u publikua të mërkurën.
Në vazhdimin e seancës, do të vazhdohet me pikën e katërt të rendit të ditës, saktësisht me zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Me zgjedhjen e nënkryetarit serb Kuvendi konsiderohet i konstituuar dhe për një gjë të tillë Kuvendi ka afat 12 ditë.
Të mërkurën, në aktgjykimin e plotë në rastin e ngritur nga Lista Serbe për konstituimin e Kuvendit, Kushtetuesja nuk ua ka lënë në dorë grupeve parlamentare apo komuniteteve që, duke mos propozuar kandidat për nënkryetar, ta mbajnë të bllokuar punën e organit legjislativ.
“Gjykata sqaron se në rastet kur e drejta kushtetuese në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit gjatë konstituimit të Kuvendit nuk ushtrohet nga deputetët apo grupet parlamentare, që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, qofshin ato nga komuniteti shumicë apo nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilat mund të manifestohen në pengimin e këtij procesi, apo në rastet kur, përkundër vullnetit të shumicës së deputetëve për të zgjedhur anëtarin e Kryesisë, Kuvendit i pamundësohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së saj, Kuvendi përjashtimisht do të mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, me kushtin që Kryesia e Kuvendit të ketë kuorum në vendimmarrjen e saj në përputhje me paragrafin 3 të nenit 20 (Mbledhja e Kryesisë) të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton se: “Vendimi i Kryesisë merret me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje”, thuhet në arsyetimin e dhënë nga Kushtetuesja.
Të enjten janë bërë tetë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme. Me zgjedhjen e nënkryetarit serb përmbyllet seanca konstituive e nisur më 15 prill, dhe i hapet rruga procesit për formimin e qeverisë së re.
Prishtinë, tetor 2025 – Medieve në Kosovë u është shtuar një platformë e re që do të raportojë dhe...