Kushtetuesja hap rrugë, partitë mbesin në të njëjtat qëndrime - Gazeta Express
string(60) "kushtetuesja-hap-rruge-partite-mbesin-ne-te-njejtat-qendrime"

Lajme

Gazeta Express

19/08/2025 12:28

Kushtetuesja hap rrugë, partitë mbesin në të njëjtat qëndrime

Lajme

Gazeta Express

19/08/2025 12:28

Publikimi i Aktgjykimit nga Gjykata Kushtetues i hapë rrugë vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Megjithëkëtë, nuk dihet nëse Kuvendi do të konstituohet shpejt, pasi partitë politike vazhdojnë të mos lëvizin nga qëndrimet e tyre. Nga Vetëvendosje thonë se ish-partitë opozitare po bllokojnë konstituimin e Kuvendit. E, këto të fundit, thonë se janë kundër bllokadës, që sipas tyre po e bënë partia që fitoi më 9 shkurt.

Ndonëse publikimi i aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, i hap rrugë vazhdimit të seancës konstituive, nuk dihet nëse brenda afateve ligjore do të konstituohet Kuvendi. Kjo edhe për faktin se partitë politike vazhdojnë të mos lëvizin nga qëndrimet e tyre, të ditura prej muajsh.

Adnan Rrustemi, nga Lëvizja Vetëvendosje i tha Radio Kosovës se me aktgjykimin e fundit Kushtetuesja rishkroi Kushtetutën. Ai tha se Vetëvendosje do të vazhdojë me propozimin për kryeparlamentare të Albulena Haxhiu, e për moskonstituimin e Kuvendit fajësoi partitë e tjera. 

“Ne kemi qenë të përkushtuar dhe të interesuar që nga 15 prilli që sa më parë të konstituohet Kuvendi dhe të kalohet në fazën tjetër të zgjedhjes së Qeverisë. Është çështje tjetër që opozita si plan politik të veprimit e ka zgjedhur bllokadën dhe thjesht janë angazhuar gjatë këtyre muajve për të penguar Vetëvendosjen për krijimin e qeverisë së re, duke bllokuar konstituimin e Kuvendit”, tha Adnan Rrustemi.

Nga PDK, LDK e AAK thonë se nuk kanë ndryshuar qëndrime dhe se sipas tyre, bllokuese e konstituimit të Kuvendit është Vetëvendosje.  

E, tashmë kur është publikuar aktgjykimi i Kushtetueses, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, thotë se Vetëvendosje duhet të reflektojë.  

“Ne kemi qenë të hapur qoftë në takimet apo edhe në ofertën tonë, në mënyrë që Vetëvendosje të propozojë emra të kandidatëve që do të mund të ishin çështje për diskutim për të zhbllokuar konstituimin e Kuvendit. Rrugëdalje nga kjo situatë nuk ka pasur, për shkak të barrikadimit që Vetëvendosje ka pasur në mënyrë konsistente. Por, presim që thirrja e seancës sapo të ndodhë të ketë reflektim nga Vetëvendosje, sepse nuk kemi kohë për të humbur”, tha ajo.

Deputetja Hykmete Bajrami thotë se LDK nuk është bllokuese, por nuk ka votë për asnjë kandidat të Vetëvendosjes. 

“Se si do të veprojë Vetëvendosje pas publikimit të vendimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese, t’ju them të drejtën nuk është se mund të parashikoj. Por, ne si LDK nuk do të marrim pjesë në procedura jokushtetuese e gjithashtu nuk do të votojmë për asnjë kandidat nëse nuk kemi marrëveshje politike”, tha Bajrami.

Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre dhe se mund të votojnë ndonjë kandidat të pranueshëm.

“Ne nuk kemi asnjë kontakt me Lëvizjen Vetëvendosje, por ka disa kandidatë që mund t’ia votojmë, nëse reflekton Vetëvendosje të propozojë ndonjë kandidat më të pranueshëm, në të kundërtën votat tona do të jenë kundër”, tha ajo.

AAK e Ramush Haradinaj prej kohësh ka paralajmëruar se mund të votojë pro zgjedhjes së kryeparlamentarit, nëse Vetëvendosja e  Albin Kurtit do të propozonte si kandidate deputetet Saranda Bogujevci e Shqipe Selimi apo edhe ish kryeparlamentarin Glauk Konjufca.