Gjykata Kushtetuese e Kosovës, sot ka publikuar aktgjykimin e saj të plotë lidhur me situatën në Kuvend.
Në aktgjykim, Kushtetuesja thotë se deputetët duhet që brenda 12 ditëve ta konstituojnë Kuvendin, dhe se, të njëjtit duhet të marrin pjesë në votim.
‘‘Në këto rrethana, deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të konstituojnë Kuvendin brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve, gjithnjë duke respektuar procedurën e përcaktuar me Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit. Gjykata rikujton obligimin e deputetëve që të marrin pjesë në punimet e Kuvendit, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e tyre në votim, përkitazi me propozimet e paraqitura në bazë të Kushtetutës dhe rregullave tjera të ndërlidhura’’, thuhet në aktgjykim.
Tutje, nga Gjykata theksohet edhe se, deputetët duhet të votojnë për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, me votën ‘’për’’, ‘’kundër’’, ose, ‘’abstenim’’.
‘‘Në këtë drejtim, Gjykata thekson se deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe votojnë për, kundër apo të abstenojnë për zgjedhjen e nënkryetarit të komunitetit Serb, në frymën e detyrimit për bashkëpunim konstruktiv në mirëbesim, i cili buron nga vetë neni 67 i Kushtetutës, dhe i cili ndërlidhet ngushtë edhe me (i) detyrimin e përcaktuar në nenin 74 të Kushtetutës, sipas të cilit deputetët e Kuvendit ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit, dhe (ii) duke pasur parasysh obligimin e përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 58 të Kushtetutës që Republika e Kosovës, siguron, në baza jodiskriminuese, që të gjitha komunitetet dhe pjesëtarët e tyre të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre, të specifikuara me këtë Kushtetutë. Njëkohësisht, një detyrim i tillë vlen edhe për grupet tjera parlamentare të cilët në frymën e bashkëpunimit dhe konsultimeve konstruktive propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit, të cilët bazuar në paragrafët 3 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës, po ashtu zgjedhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve (shih, Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO124/25, cituar më lart, paragrafi 130),’’, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses. /GazetaExpress
Pjesëmarrja në evente të zhvillimit personal dhe profesional, si Konventa 8, është thelbësore për rritjen individuale dhe suksesin në...